Shtetet e Bashkuara po vendosin sanksione ndaj Presidencës së Industrive të Mbrojtjes (SSB) të qeverisë turke për blerjen e sistemit të raketave tokë-ajër S-400 nga Rosoboronexport, kompania kryesore e Rusisë për eksportin e armëve. Sanksionet përfshijnë ndalimin e të gjitha liçencave të reja të eksportit dhe autorizimeve amerikane për SSB-në, si dhe ngrirjen e pasurive dhe kufizimin e vizave për Dr. Ismail Demir, president i SSB-së dhe tre oficerëve të tjerë të këtij institucioni.
Këto sanksione nuk synojnë të minojnë aftësitë ushtarake apo gatishmërinë luftarake të Turqisë ose të ndonjë aleati apo partneri tjetër të SHBA-ve. Ato synojnë t’i bëjnë presion Rusisë për aktivitetet e saj të zgjeruara keqdashëse.
Shtetet e Bashkuara ia bënë të qartë Turqisë se blerja prej saj e sistemit rus të mbrojtjes nga raketat S-400, do të vinte në rrezik sigurinë e teknologjisë ushtarake dhe personelit amerikan dhe do t’i siguronte Rusisë fonde të konsiderueshme për sektorin e mbrojtjes, si dhe qasje tek forcat e armatosura turke dhe në industrinë e saj të mbrojtjes. Turqia megjithatë bleu dhe testoi sistemit S-400, pavarësisht se ka qasje tek sistemet e NATO-s për të përmbushur kërkesat e saj të mbrojtjes. Ky vendim rezultoi në pezullimin dhe heqjen e pritshme të Turqisë nga partneriteti global për avionët luftarakë F-35.
Këto sanksione dërgojnë një sinjal të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë transaksione të rëndësishme me sektorët e mbrojtjes dhe inteligjencës ruse.
Në një deklaratë me shkrim Sekretari i Shtetit Mike Pompeo i kërkoi Turqisë që "të zgjidhë menjëherë problemin e sistemit S-400 në koordinim me Shtetet e Bashkuara. Turqia është një aleat i vlefshëm dhe një partner i rëndësishëm rajonal i sigurisë për Shtetet e Bashkuara dhe ne kërkojmë të vazhdojmë historinë tonë afatgjatë të bashkëpunimit produktiv në sektorin e mbrojtjes duke hequr pengesën që paraqet sistemi S-400 sa më shpejt që të jetë e mundur".