Domethënia e 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara 

4th of July

Më 4 korrik, Shtetet e Bashkuara festojnë 245 vjetorin e ekzistencës. Përkujtohet kjo ditë e vitit 1776, kur përfaqësuesit e 13 kolonive britanike nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, duke u shkëputur kështu nga Britania e Madhe.

Vendimi për t'u shkëputur nga monarkia angleze ishte duke u përgatitur prej vitesh, dhe përfundimisht lindi nga dy kauza në pamje të palidhura, por të ndërthurura. E para ishte një tendencë e hershme e qeverisë angleze për të imponuar kontroll më të rreptë ndaj kolonistëve. E dyta ishte imponimi i taksave ndaj kolonistëve si një mënyrë për të shlyer borxhet e mëdha ndaj kurorës britanike, shumë prej të cilave u mblodhën si rezultat i luftërave me francezët dhe me indianët: një vazhdimësi e luftimeve shekullore dhe të herëpashershme të Anglisë me Francën.

Duke filluar nga viti 1764, parlamenti anglez filloi të imponojë taksa që synonin në veçanti të mblidhnin të ardhura nga kolonitë për kurorën, së pari me taksa ndaj sheqerit, dhe në vazhdim ndaj një liste gjithnjë e në rritje mallrash, ndër të tjera ndaj gazetave, produkteve të xhamit, dokumenteve ligjore, bojërave, dhe çajit. Vendosja e çdo takse të re u prit me protesta të organizuara.

Në vazhdim, taksat u bënë ndëshkuese, protestat u bënë më të dhunshme, dhe reagimi i qeverisë ishte gjithnjë e më kufizues. Situata ishte në veçanti e hidhur në Boston. Qershia mbi tortë u vendos në shkurt të vitit 1775, kur parlamenti britanik mbylli portin e Bostonit. Bostoni u përgatit për luftë. Pra, megjithëse Lufta Revolucionare Amerikane nuk filloi zyrtarisht deri më 4 korrik 1776, beteja e parë u luftua në perëndim të Bostonit, më 19 prill 1775.

Në përfundim të Revolucionit, udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara që po lindnin, i mbanin mend abuzimet e regjimit britanik. Të udhëhequr nga idealet liberale të Iluminizmit, ata e përmbysën marrëdhënien konvencionale mes qeverisë dhe të qeverisurve. Qeverisja nga lart poshtë e një klase sundimtare trashëgimtare u zëvendësua nga parimi i drejtuesve të zgjedhur në rang vendi dhe shteti. Qytetarët e zakonshëm luajtën rol gjithnjë e më të madh në qeverisjen lokale dhe shtetërore, dhe ndërsa më shumë njerëz fituan të drejtën e votës, u rrit edhe pjesëmarrja politike. Brenda një dekade, kjo ide galvanizoi lëvizje demokratike dhe për pavarësinë në mbarë globin.

Thomas Jefferson, i cili u bë më vonë Presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara, shkruajti në Deklaratën e Pavarësisë, për të justifikuar vendimin e kolonive amerikane për t'u shkëputur nga Britania, se "kur një tren i gjatë abuzimesh dhe uzurpimesh, duke ndjekur pa pushim të njëjtat subjekte, evidenton një model për t'i shtrënguar ata nëpërmjet despotizmit absolut, atëherë është e drejta e tyre, është detyra e tyre, ta rrëzojnë një qeveri të tillë".