Ukrainë, minat tokësore kërcënim për të sotmen dhe të ardhmen

Minat tokësore dhe mbetjet shpërthyese të luftës kanë qënë një problem serioz për Ukrainën madje edhe përpara sulmit të paprovokuar rus ndaj këtij vendi.

Që nga viti 2014, kur Rusia dërgoi trupat e saj në Ukrainën lindore, vija prej 400 kilometrash e gjatë që përshkron rajonet Donetsk dhe Luhansk dhe ndan Forcat e Armatosura të Ukrainës nga forcat separatiste të mbështetura nga Rusia, është e minuar rëndë.

Sipas portalit informativ humanitar “Reliefweb”, deri në vitin 2021, rreth dy milionë ukrainas u ekspozuan ndaj një sërë rreziqesh nga mjetet shpërthyese.

Në atë kohë, Ukraina renditej e pesta në botë për viktimat civile të shkaktuara nga minat tokësore dhe mbetjet shpërthyese të luftës. Ky vend renditet gjithashtu mes tre vendeve kryesore për aksidente me mina tokësore kundër automjeteve. Në vitin 2021, rajoni i Donbasit në Ukrainë, ishte një nga zonat me më shumë mina tokësore në botë.

Që nga viti 2014, Shtetet e Bashkuara kanë bashkëpunuar me partnerë dhe organizata joqeveritare për pastrimin e mjeteve shpërthyese nga fushat e betejës në Ukrainën lindore dhe shkatërrimin e armëve konvencionale të tepërta atje.

“Departamenti i Shtetit, Departamenti i Mbrojtjes dhe Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar punojnë së bashku me qeveritë e huaja, kompanitë private, organizatat ndërkombëtare dhe organizatat joqeveritare për të pakësuar rezervat e tepërta të armëve të vogla dhe të lehta, duke zbatuar praktikat më të mira për sigurimin dhe maganizimin e duhur të armëve konvencionale si dhe zbatimin e programeve për çminimin”, tha Nënsekretarja e Shtetit për Kontrollin e Armëve dhe Sigurinë Ndërkombëtare, Bonnie Jenkins.

“Që nga viti 2014, programet e financuara nga Shtetet e Bashkuara për të njoftuar dhe edukuar publikun lidhur me rreziqet nga mjetet shpërthyese, kanë parandaluar lëndime të panumërta në Ukrainë. Para fillimit të agresionit rus në shkallë të gjerë në muajin shkurt, programet e financuara nga Shtetet e Bashkuara zhvilluan trajnime përgjatë vijës së kontaktit, dhe vetëm gjatë vitit 2021 zhvilluan 670 seanca trajnimesh për parandalimin e lëndimeve nga mjetet shpërthyese.”

“Fatkeqësisht, agresioni i mëtejshëm i paprovokuar dhe i paramenduar nga Putini, që filloi me 24 shkurt të këtij viti, tashmë ka zhbërë përparimet tona të mëparshme, duke rrezikuar gjithnjë e më shumë jetët e civilëve ukrainas nga mjetet shpërthyese të luftës”, Nënsekretarja e Shtetit për Kontrollin e Armëve dhe Sigurinë Ndërkombëtare, Bonnie Jenkins.

“Bombardimet e lagjeve të banuara, dyqaneve ushqimore, spitaleve, shkollave dhe madje edhe një centrali bërthamor nga Federata Ruse po e bëjnë situatë katastrofike.”

“Pastrimi pas sulmeve ruse pa dallim, do të zgjasë shumë vite dhe kërkon një përgjigje ndërkombëtare të mirëkoordinuar”, tha Jenkins.

"Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të mbështetur përpjekjet për të ndihmuar popullin e Ukrainës të rindërtojë jetën e tyre të sigurt nga kërcënimi i bombave ruse."