Accessibility links

Breaking News

Pompeo mbi të drejtat e patjetërsueshme


Komenti pasqyron pikëpamjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Është e qartë se “të drejtat e patjetërsueshme janë me rëndësi qëndrore për identitetin tonë si amerikanë” dhe të njëjtën rëndësi duhet të kenë për “politikën tonë të jashtme,” tha Sekretari Pompeo.

Themeluesit e Shteteve të Bashkuara, tha Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, “ndryshuan kursin e historisë kur krijuan një shtet të ndërtuar mbi parimin se qeveria ekziston jo për të kufizuar apo mohuar të drejtat e individit bazuar në tekat e atyre që janë në fuqi, por për të garantuar ekzistencën e tyre”.

Më 8 korrik 2019, Sekretari Pompeo organizoi një grup pune të përbërë nga studiues e aktivistë për të “ofruar këshilla për të drejtat e njeriut, bazuar në parimet që themeluan Amerikën dhe parimet e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut të vitit 1948”. Kjo përpjekje, e njohur si Komisioni mbi të Drejtat e Patjetërsueshme, paraqiti kohët e fundit një raport paraprak.

Duke përshëndetur nxjerrjen e raportit paraprak të komisionit, Sekretari Pompeo pohoi se Shtetet e Bashkuara u themeluan mbi disa të drejta të patjetërsueshme pa të cilat, “përpjekjet tona për të mbrojtur dhe nxitur të drejtat e njeriut humbin kontrollin dhe si rezultat janë të destinuara të dështojnë”.

“Themeluesit e Amerikës nuk i shpikën ‘të drejtat e patjetërsueshme,’ por u shprehën shumë qartë në Deklaratën e Pavarësisë se trajtohen si ‘të pamohueshme’ se njerëzit ‘janë krijuar të barabartë’ dhe janë ‘mveshur nga Krijuesi me disa të drejta të patjetërsueshme… ndër të cilat jeta, liria dhe përpjekja për të arritur lumturinë’”.

Sekretari Pompeo tha më tej:

“Askush nuk mund të gëzojë lumturinë nëse nuk zotëron frytet e punës së tij, asnjë shoqëri nuk mund të ruajë legjitimitetin apo karakterin e virtytshëm, pa lirinë e besimit”.

Është e qartë se “të drejtat e patjetërsueshme janë me rëndësi qëndrore për identitetin tonë si amerikanë,” dhe të njëjtën rëndësi duhet të kenë për “politikën tonë të jashtme,” tha Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo.

“Nëse vërtetë besojmë se këto janë të drejta të patjetërsueshme, të pacënueshme, të qëndrueshme, universale, siç besonin themeluesit e këtij kombi, mbrojtja e këtyre të drejtave duhet të jetë themeli i çdo përpjekjeje diplomatike”.

Angazhimi i Amerikës ndaj të drejtave të patjetërsueshme në vend është bërë pishtar shprese për burra e gra që përpiqen të fitojnë liritë e të drejtat në vendet e tyre. Një shembull i tillë është disidenti sovjetik Natan Sharansky. Kur ai dëgjoi fjalimin “Perandori e Së Keqes” nga Presidenti Ronald Reagan, gjatë kohës kur ishte në burg, ai tha se për të ishte “një rreze shprese” në errësirën e qelisë së ndëshkimit.

“Kam bindjen se ylli amerikan do të ndriçojë mbi qiej, për sa kohë që ruajmë konceptin e të drejtave të patjetërsueshme si thelbi i përpjekjeve tona të pandalshme për të garantuar lirinë për popullin tonë dhe për mbarë njerëzimin,” tha Sekretari Pompeo.

XS
SM
MD
LG