Në një nga veprimet e tij të para si president, Joe Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv për kthimin e Shteteve të Bashkuara në Marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimatike.
Marrëveshja e Parisit u miratua gjatë një konference të Kombeve të Bashkuara për klimën në Paris në dhjetor të vitit 2015. Ajo hyri në fuqi më 4 nëntor 2016. Kombet e Bashkuara rendisin 190 vende nënshkruese të marrëveshjes deri në 25 janar të këtij viti. Marrëveshja e Parisit krijon një kornizë për veprime globale për të shmangur ngrohjen potencialisht katastrofike të planetit ndërsa vendet ndërtojnë qëndrueshmëri ndaj ndikimeve të klimës, që tashmë po përjetojmë.
Marrëveshja synon të kufizojë rritjen e temperaturës së përgjithshme globale në më pak se dy gradë celsius mbi nivelet në periudhën paraindustriale, me synimin për të arritur jo më shumë se 1.5 gradë deri në fund të shekullit, kur shumë shkencëtarë parashikojnë se pasojat e ndryshimit të klimës do të shtohen, duke përfshirë rritjen katastrofike të nivelit të detit dhe stuhitë më ekstreme, thatësira dhe zjarre masive.
Presidenti Biden e ka bërë të qartë se synon që ndryshimi i klimës të jetë një nga përparësitë kryesore për administratën e tij. Prandaj, rikthimi në Marrëveshjen e Parisit ishte një nga premtimet kryesore të fushatës së tij. Në fjalimin e tij të inaugurimit ai theksoi se, "Një thirrje për mbijetesë vjen nga vetë planeti. Një thirrje që nuk mund të jetë më therrëse ose më e qartë sesa tani. "
Sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se ribashkimi në Marrëveshjen e Parisit është pjesë e një përparësie më të zgjeruar të Presidentit Biden për "rindërtimin e partneriteteve dhe aleancave tona në të gjithë botën dhe rikthimi i Amerikës në vendin që i takon në tryezën globale.
Mund ta shihni këtë të dëshmohet në ribashkimin me Marrëveshjen e Klimës së Parisit, ribashkimin në Organizatën Botërore të Shëndetësisë; planet e Presidentit Biden për t'u angazhuar me partnerë dhe aleatë për të punuar së bashku për të adresuar shumë nga kërcënimet dhe çështjet që po hasim në të gjithë botën".
Presidenti Biden emëroi ish Sekretarin e Shtetit John Kerry si të Dërguar të Posaçëm Presidencial për Klimën - për të siguruar që shqetësimet për klimën të përfaqësohen në çdo tryezë, përfshirë edhe në Shtëpinë e Bardhë. Ai do të drejtojë përpjekjet diplomatike të Shteteve të Bashkuara për të rikonfirmuar udhëheqjen amerikane ndaj problemit të klimës dhe për të rritur ambicien globale për të përballuar sfidën shqetësuese të klimës.
Komuniteti ndërkombëtar i mirëpret Shtetet e Bashkuara përsëri në Marrëveshjen e Parisit. Edhe Presidenti francez Emanuel Macron e theksoi këtë qëndrim: "Ne jemi së bashku. Ne do të jemi më të fortë për t'u përballur me sfidat e kohës sonë. Më të fortë për të ndërtuar të ardhmen tonë. Më të fortë për të mbrojtur planetin tonë" shkroi ai në Twitter: "Mirësevini përsëri në Marrëveshjen e Parisit!"