Mes viteve 2016 dhe 2021, numri i njerëzve që përjetuan pasiguri drastike ushqimore u rrit nga 100 milionë në 160 milionë. Ka shumë arsye për këtë ndryshim të padëshiruar, që përfshin konfliktet, ndryshimin e klimës dhe pandeminë COVID-19, e cila shkaktoi një ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit me ushqime, dhe nga ana tjetër, inflacion të thellë.
Por situata u përkeqësua shumë pasi presidenti rus Vladimir Putin filloi një luftë brutale kundër Ukrainës. Veprimet e tij kanë shkaktuar vuajtje të tmerrshme në Ukrainë dhe kanë pasur "një ndikim shkatërrues në sigurinë globale të ushqimit, sepse Ukraina është një nga hambarët e drithit në botë", tha së fundmi Sekretari i Shtetit Antony Blinken.
“Një bllokadë detare ruse në Detin e Zi po pengon të korrat e Ukrainës të dërgohen në destinacionet e tyre normale. Ka diku rreth 20 milionë tonë grurë që është bllokuar në depo pranë Odesës dhe në anije të mbushura me grurë që kanë ngecur në portin e Odesës për shkak të bllokadës ruse. Forcat ruse kanë kapur disa nga tokat bujqësore më produktive të Ukrainës. Ata vendosën eksplozivë nëpër ato fusha. Ata kanë shkatërruar infrastrukturën jetike bujqësore”.
Duke folur në një tryezë të rrumbullakët virtuale mbi "Çështjet e sigurisë ushqimore që dalin nga sulmi rus në Ukrainë", Sekretari i Shtetit Blinken tha se këto veprime janë të qëllimshme.
"Presidenti Putin po ndalon dërgimin e ushqimit dhe po përdor në mënyrë agresive makinën e tij të propagandës për të shmangur ose shtrembëruar përgjegjësinë, sepse ai shpreson se kjo do ta bëjë botën t'i dorëzohet atij dhe t'u japë fund sanksioneve".
Nga ana jonë, Shtetet e Bashkuara kanë formuluar një plan veprimi që përqëndrohet në pesë pika kritike.
Së pari, Shtetet e Bashkuara po ofrojnë ndihmë për të përmbushur nevojat urgjente - duke përfshirë më shumë se 2.8 miliardë dollarë për sigurinë ushqimore dhe ndihma të tjera humanitare që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Së dyti, Shtetet e Bashkuara po punojnë me vende të tjera për të zbutur mungesën globale të plehrave kimike.
Së treti, ne po rrisim kapacitetin dhe qëndrueshmërinë bujqësore nëpërmjet nismës Feed the Future.
Së katërti, Shtetet e Bashkuara po zbusin pasojat makroekonomike të kësaj krize duke punuar për të rritur mbështetjen për programet e ndihmës financiare në mbarë botën.
Dhe së fundi, Shtetet e Bashkuara do të përdorin burimet e tyre diplomatike për t'u angazhuar vazhdimisht me vendet partnere, si dhe me OJQ-të dhe sektorin privat.
“Ne nuk mund të presim që Presidenti Putin të bëjë atë që duhet”, tha sekretari Blinken. "Pjesa tjetër e botës duhet t'i përgjigjet menjëherë dhe kolektivisht kësaj situate urgjente", tha sekretari Blinken.