Në fillim të marsit, Rusia sulmoi dhe pushtoi termocentralin bërthamor të Zaporizhzhyas në Ukrainë. Ajo vazhdon të përdorë forcën për të kontrolluar uzinën edhe sot e kësaj dite. Ky impiant i periudhës sovjetike është termocentrali më i madh bërthamor në Evropë.
Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike Rafael Mariano Grossi, uzina e Zaporizhzhyas ishte objekt i bombardimeve më 5 gusht, “duke rezultuar në disa shpërthime pranë centralit elektrik dhe duke shkaktuar një ndërprerje të energjisë. Një reaktor u shkëput nga rrjeti elektrik, duke aktivizuar sistemin e tij të mbrojtjes emergjente dhe duke vënë në punë gjeneratorët për të siguruar furnizimin me energji elektrike.
Zoti Grossi paralajmëroi se të "shtatë shtyllat e domosdoshme që janë kritike për sigurinë bërthamore ... janë komprometuar nëse nuk janë shkelur plotësisht në një moment apo në një tjetër gjatë kësaj krize".
“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të monitorojnë nga afër njoftimet në lidhje me situatën në objektin e Zaporizhzhyas, duke vënë në dukje shqetësimin e konsiderueshëm në lidhje me rrezikun e një incidenti bërthamor që do të rrezikonte popullin e Ukrainës, shtetet fqinje dhe komunitetin ndërkombëtar”, tha nënsekretarja amerikane e Shtetit për Kontrollin e Armëve dhe Sigurinë Ndërkombëtare Bonnie Jenkins.
"Zgjidhja për atë që po ndodh në objektin e Zaporizhzhyas është e drejtpërdrejtë."
“Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Federatës Ruse që të tërheqë menjëherë forcat e saj nga territori i Ukrainës. Kjo do t'i mundësonte Ukrainës të rivendoste sigurinë dhe instrumentat mbrojtës që kanë siguruar objektin për dekada".
“Rusia vazhdon të shpërndajë dezinformata për të hequr vëmendjen nga realiteti në terren dhe tani pretendon se Ukraina është fajtore për situatën në objektin e Zaporizhzhyas”, tha nënsekretarja Jenkins.
Ajo vuri në dukje se kjo injoron plotësisht çështjen reale të konfiskimit të objektit nga Rusia. Vetëm Rusia krijoi rreziqe atje kur filloi një pushtim në shkallë të plotë, tha ajo, dhe mund t'i eliminojë ato rreziqe duke u tërhequr nga Ukraina.
“Ne i bëjmë thirrje edhe një herë Rusisë që të ndërpresë të gjitha operacionet ushtarake në ose pranë objekteve bërthamore të Ukrainës. Shtetet e Bashkuara mbështesin gjithashtu propozimin e Ukrainës për të krijuar një zonë të çmilitarizuar rreth uzinës në Zaporizhzhya”, tha nënsekretarja Jenkins.
“Pasojat e shumta të këtij konflikti, duke përfshirë situatën në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhyas, do të marrin fund vetëm kur Rusia të përfundojë luftën e saj. Shtetet e Bashkuara kërkojnë veprime veçanërisht urgjente për të adresuar rreziqet bërthamore të paraqitura nga lëvizjet e fundit të Rusisë. Kjo duhet të bëhet përmes punës së IAEA dhe kthimit të kontrollit të plotë të objektit të Zaporizhzhyas në Ukrainë”.