Accessibility links

Breaking News

Ndërtimi i një paqeje të qëndrueshme në Kolumbi


Në fund të vitit 2016, qeveria kolumbiane ratifikoi një marrëveshje paqeje që i dha fund një konflikti të përgjakshëm midis qeverisë së Kolumbisë dhe Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë, të njohura si FARC. Konflikti zgjati për më shumë se pesë dekada dhe u kushtoi jetën rreth 260,000 kolumbianëve, me 80,000 të tjerë të zhdukur.

Shtetet e Bashkuara kanë një histori të gjatë në mbështetjen e Marrëveshjes së Paqes dhe ne vlerësojmë arritjet e saj. Pra, ne shohim "katër fusha përparimi" si dhe "pengesa për paqen që duhet të adresohen me urgjencë", tha ambasadorja e amerikane në Kombet e Bashkuara Linda Thomas-Greenfield.

"Së pari, Shtetet e Bashkuara mirëpresin angazhimin e shprehur të administratës Petro për të realizuar plotësisht objektivat e Kapitullit Etnik."

“Kapitulli Etnik vendos një vizion për një paqe gjithëpërfshirëse, një vizion që trajton një histori të pabarazisë dhe siguron të drejtat e afro-kolumbianëve dhe indigjenëve. Ky është një vizion që ndajnë Shtetet e Bashkuara dhe që ne kemi punuar prej kohësh për të ndihmuar në realizimin e tyre”.

"Së dyti, Shtetet e Bashkuara mbështesin përpjekjet e reformës rurale për shpërndarjen e pronave për fermerët pa tokë," tha ambasadorja Thomas-Greenfield.

“Së treti, ne vazhdojmë të mbështesim procesin e drejtësisë tranzicionale. Ne e mbështesim këtë përpjekje dhe dënojmë çdo veprim që kërcënon procesin e paqes. Të gjitha viktimat e konfliktit të Kolumbisë meritojnë drejtësi. …

Së katërti, ne jemi të inkurajuar nga përpjekja e Kolumbisë për të zgjeruar pjesëmarrjen politike demokratike. Nuk duhet të harrojmë se sa e rëndësishme është të shohim ish-luftëtarë të marrin pjesë në procesin politik”.

“Por ndërsa këto katër zhvillime janë shkak për optimizëm, ka ende punë për të bërë”, tha ambasadorja Thomas-Greenfield. "Prodhimi i paligjshëm i drogës vazhdon të nxisë dhunën në zonat e prekura nga konflikti".

“Të gjitha aktet e dhunës – qofshin ato sulme kundër forcave kolumbiane të sigurisë, komuniteteve indigjene dhe afro-kolumbiane, ish-luftëtarë ose mbrojtës të të drejtave të njeriut dhe mjedisit – pengojnë përparimin. Ato pengojnë paqen. Autoritetet duhet të veprojnë për të luftuar prodhimin e paligjshëm të drogës, për të pakësuar dhunën dhe për të siguruar që grupet e armatosura të paligjshme të mbahen përgjegjës”.

Shtetet e Bashkuara janë "plotësisht të përkushtuara për të mbështetur Kolumbinë në këtë detyrë jetike", tha ambasadorja Thomas-Greenfield. "Ne të gjithë duhet të vazhdojmë të qëndrojmë përkrah Kolumbisë në përpjekjet e saj për të konsoliduar paqen e qëndrueshme pas dekadash konflikti".

XS
SM
MD
LG