Fushatat keqdashëse të influencës ruse po vënë në shënjestër shumë vende të Evropës Lindore

Fushatat keqdashëse të influencës ruse po vënë në shënjestër shumë vende të Evropës Lindore. Këto fushata përfshijnë përpjekje për të nxitur korrupsionin dhe përfituar prej tij, minuar zgjedhjet e lira dhe të drejta, menjanuar zbatimin e ligjit, manipulimin e medias së pavarur dhe tregjet e energjisë.

Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, është e përkushtuar të mbështesë shoqëritë e lira nën sulm kudo që janë, tha Zëvendës Administratorja e USAID-it Bonnie Glick gjatë një fjalimi në Polandë para koalicionit global që njihet si Komuniteti i Demokracive.

Korniza e Zhvillimit Kundër Influencës Keqdashëse të Kremlinit e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, identifikon zona ku Shtetet e Bashkura mund të mbështesin më së miri vendet partnere.

Një qëllim parësor është forcimi i shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike, duke kultivuar një shoqëri civile të pavarur dhe nxitja e transparencës dhe përgjegjshmërisë publike.

Kremlini shpesh kërkon të nxisë përçarje dhe të krijojë pasiguri dhe paqendrueshmëri në të gjithë Evropën Lindore.

“Në vend që t’i lënë këto vende në paqe, Kremlini pompon propagandë në politikën e tyre”, tha Zëvendës Administratorja Glick. “Mijëra ekipe të financuara nga Kremlini pushtojnë platformat e medias sociale dhe përhapin lajme të sajuara për të krijuar konfuzion, mosbesim dhe cinizëm për institucionet demokratike dhe Perëndimore”.

Programet e USAID-it, tha zonja Glick, synojnë të kultivojnë qëndrime, institucione dhe praktika që krijojnë një themel të fortë për demokracinë. Kjo përfshin inkurajimin e zhvillimit të partive politike duke përfshirë pjesmarrjen e grave dhe të rinjve në procesin politik.

Lidhur me median e pavarur, programet e USAID-it ndihmojnë vendet që t’i rezistojnë manipulimit të burimeve të tyre të informacioneve nga Rusia duke ndihmuar organet mediatike që të sigurojnë mbulim të paanshëm.

Në frontin energjitik, USAID po ndihmon partnerët e saj evropianë që të diversifikojnë burimet e tyre elektrike, përmirësojnë rrjetet e transmetimit të energjisë dhe zhvillojnë tregjet e energjisë që janë të integruara me vendet fqinje.

Njëkohësisht, USAID mbështet aspiratat demokratike të popullit rus. USAID beson se demokracitë e forta dhe ekonomitë e begata në Evropë dhe Euroazi mund të shërbejnë si shembull për rusët. Këto vende janë

shembull se demokracia funksionon. Ato mund të dëshmojnë se demokracia është përgjigja ndaj sfidave sociale dhe ekonomike në rritje të Rusisë.

Në të kaluarën, mbështetja e Shteteve të Bashkuara ndihmoi vende si Polonia dhe republikat baltike që të futeshin në një rrugë demokratike. Ato tani kanë korrur përfitimet e rritjes ekonomike dhe janë bërë anëtare në NATO dhe BE.

Siç ka thënë Presidenti Ronald Reagan, demokracia “nuk është një lule brishtë, por gjithsesi ajo ka nevojë për kultivim”. Agjencia USAID është e vendosur që të bëjë pikërisht këtë.