Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë publikoi një raport që ekspozon shkeljet masive dhe sistematike të të drejtave të njeriut në Bjellorusi, të kryera nga regjimi i Aleksandër Lukashenkos gjatë zgjedhjeve të manipuluara të 9 gushtit dhe pas tyre.
Raporti i OSBE-së pretendon se qëllimi kryesor i shtypjes së Lukashenkës ishte "të ndëshkonte demonstruesit dhe të frikësonte protestues të tjerë të mundshëm".
Abuzimet kundër demonstruesve paqësorë, aktivistëve të opozitës dhe gazetarëve përfshijnë tortura, ndalime arbitrare dhe kufizime të lirisë së shprehjes, grumbullimeve dhe tubimeve paqësore.
Autori kryesor i raportit dhe profesori i së drejtës ndërkombëtare Wolfgang Benedek thekson se është "veçanërisht shqetësuese që rastet e mirë dokumentuara të torturave dhe keqtrajtimeve të disidentëve politikë nga forcat e sigurisë nuk kanë rezultuar ende që ndonjë person të mbahet përgjegjës, gjë që konfirmon pretendimet e pandëshkueshmërisë së përgjithshme, dhe gjithashtu mungesën e gjykimit të drejtë të çështjeve politike”.
Demonstratat masive kanë vazhduar në të gjithë Bjellorusinë që nga zgjedhjet e debatueshme, duke rritur presionin ndaj Presidentit Lukashenko, i cili ka qeverisur për 26 vjet dhe kundërshton të pranojë se zgjedhjet ishin vjedhur.
Sipas njoftimeve të shtypit, Presidenti Lukashenko ka forcuar kontrollin e tij të pushtetit duke mbyllur pjesërisht kufirin perëndimor, duke zëvendësuar ministrin e tij të brendshëm dhe duke u kërkuar oficerëve të sigurisë që vëzhgojnë protestat, të intensifikojnë shtypjen e demonstruesve.
Shtetet e Bashkuara "janë të frymëzuara nga qëndrueshmëria dhe dinjiteti i popullit bjellorus", tha në një deklaratë Sekretari i Shtetit Mike Pompeo. "Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t'u bëjnë thirrje autoriteteve bjelloruse të ndalojnë shtypjen e tyre dhe të marrin parasysh kërkesat e popullit bjellorus për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të vëzhguara në mënyrë të pavarur."
Rekomandimet në raportin e OSBE-së u japin autoriteteve bjelloruse një mjet për t'i dhënë fund krizës. Plani përfshin: një mision vëzhgues të OSBE-së; dhënien fund të dhunës ndaj popullit bjellorus; dhe vënien para drejtësisë të personave përgjegjës për abuzimet në të kaluarën. Për më tepër, të gjithë ata që janë ndaluar padrejtësisht duhet të lirohen dhe duhet të ketë një dialog kombëtar kuptimplotë me përfaqësuesit e opozitës politike dhe shoqërisë civile.
Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah popullit të Bjellorusisë në luftën e tyre për drejtësi dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme.