Dhjetëra mijëra qytetarë rusë në më shumë se 120 qytete, nga Shën Petersburgu dhe Moska në perëndim, e deri në Irkutsk dhe Juzhno-Sahalinsk në lindje, dolën në fundjavën e 23 janarit për të protestuar në mënyrë paqësore kundër arrestimit të udhëheqësit të opozitës Alexei Navalny dhe për të kërkuar lirimin e tij. Navalny, avokat dhe aktivist kundër-korrupsionit, u arrestua më 17 janar. Ai u arrestua në Aeroportin Sheremetevo të Moskës pas kthimit në Rusi nga Gjermania, ku po shërohej pas një përpjekje për ta vrarë me një agjent nervor.
Arrestimi, i cili u transmetua drejtpërdrejt në Rusi nga gazetarë të pavarur, rezultoi në protestat më të mëdha të paautorizuara gjatë mandatit të presidentit rus Vladimir Putin. "Shtetet e Bashkuara mbështesin të drejtën e të gjithë njerëzve për protestë paqësore dhe lirinë e shprehjes," shkroi në Twitter Rebecca Ross, zëdhënëse e Ambasadës ,merikane në Moskë. "Hapat që po ndërmerren nga autoritetet ruse po shtypin këto të drejta,” tha ajo.
Përgjigja e policisë në fillim ishte relativisht e heshtur, por ndërsa turmat e protestuesve u rritën dhe refuzuan të shpërndahen, policia e blinduar dhe e armatosur rëndë filloi të tërhiqte veçmas njerëzit nga turma, t'i arrestonte dhe t'i tërhiqte zvarrë.
Në të gjithë vendin u arrestuan mbi 3,700 njerëz. "Përpjekjet e vazhdueshme për të shtypur të drejtat e rusëve për grumbullime paqësore dhe liri të shprehjes, arrestimi i figurës së opozitës Aleksey Navalny dhe shtypja e protestave që pasuan janë tregues shqetësues të kufizimeve të mëtejshme të shoqërisë civile dhe lirive themelore," tha Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price.
"Të drejtat e rusëve për grumbullime paqësore dhe për të marrë pjesë në zgjedhje të lira dhe të ndershme janë të mishëruara jo vetëm në kushtetutën e vendit, por edhe në angazhimet e Rusisë si anëtare e OSBE-së, Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe në detyrimet e saj ndërkombëtare sipas Paktit Ndërkombëtar për Të drejtat politike dhe Civile. “Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje autoriteteve ruse të lirojnë të gjithë të arrestuarit që kanë ushtruar të drejtat e tyre universale dhe të lirojë menjëherë dhe pa kushte Aleksey Navalnyn. Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të bashkëpunojë plotësisht në hetimin e bashkësisë ndërkombëtare për helmimin e Aleksey Navalny dhe të shpjegojë me besueshmëri përdorimin e një arme kimike në tokën e saj, "tha zëdhënësi Price. "Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë së bashkë me aleatët dhe partnerët në mbrojtje të të drejtave të njeriut - qoftë në Rusi apo kudo që ato të kërcënohen".