Rifillimi i programit 'Të Miturit e Amerikës Qendrore'

Komenti pasqyron pikëpamjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara

Administrata Biden-Harris është e vendosur të hartojë një sistem më të mirë të imigracionit që pasqyron vlerat e Shteteve të Bashkuara, zbaton ligjin, mbron shëndetin publik, promovon të drejtat e njeriut dhe zhvendoset nga ciklet e migrimit të parregullt.

Ky ishte mesazhi që transmetoi Ambasadorja Roberta Jacobson, Këshilltare e Veçantë e Presidentit dhe Koordinatore për Kufirin Jugor, në një konferencë të kohëve të fundit në Shtëpinë e Bardhë.

Një hap konkret në zbatimin e sistemit të strategjisë së re gjithëpërfshirëse për menaxhimin e migracionit nga administrata Biden është rifillimi i programit Të Miturit e Amerikës Qendrore, ose CAM. Sipas këtij programi mes vitit 2014 dhe 2017, gati 5,000 fëmijë të pambrojtur nga El Salvadori, Hondurasi dhe Guatemala u ribashkuan në mënyrë të sigurt me prindërit e tyre që ishin ligjërisht në Shtetet e Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara kanë filluar tani fazën e parë të programit CAM, duke rihapur aplikimet që ishin pezulluar kur programi përfundoi në 2017. Tani po hartohen plane për të zgjeruar dhe pranuar aplikime të reja, si një hap i rëndësishëm për zgjerimin e rrugëve për mbrojtjen humanitare dhe mundësitë në Shtetet e Bashkuara.

Ambasadorja Jacobson theksoi megjithatë, se ndryshe nga mesazhet e rreme që përhapen nga kontrabandistët, rinisja e programit CAM nuk do të thotë se kufiri jugor i Shteteve të Bashkuara është tani i hapur:

"Dua të jem e qartë: as ky njoftim dhe as ndonjë nga masat e tjera të ndërmarra lënë të kuptohet që dikush, veçanërisht fëmijët dhe familjet me fëmijë të vegjël, duhet të bëjnë udhëtimin e rrezikshëm për të provuar të hyjnë në SH.B.A. në mënyrë të parregullt. Kufiri nuk është i hapur. Në të ardhmen, ne do të vazhdojmë të kërkojmë mënyra për të gjetur rrugë ligjore për njerëzit që kanë nevojë për mbrojtje në rajon, ndërsa vazhdojmë të zbatojmë ligjet tona. Ky është një process në vazhdim”.

Një proces "për të çuar përpara një vizion të ri për imigracionin" që do të vazhdojë, tha Ambasadorja Jacobson: "Ai vizion pasqyron se cilët jemi ne si amerikanë, duke i vendosur vlerat tona në qendër të politikës sonë".