Në përpjekje për të arritur një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme për të gjithë, në vitin 2015 Kombet e Bashkuara vendosën 17 Objektiva të Zhvillimit të Qëndrueshëm, që do të arrihen deri në vitin 2030.
Numri 6 në listë është nevoja për të siguruar disponueshmërinë dhe menaxhimin e qëndrueshëm të ujit dhe kanalizimeve për të gjithë. Kjo sepse uji i pijshëm i sigurt dhe higjiena e mirë janë thelbësore për jetë të shëndetshme dhe komunitete të begata për të gjithë.
Megjithatë, sipas Programit të Përbashkët të Monitorimit, një projekt i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe UNICEF-it, shkalla e qasjes ndaj ujit të pastër po zgjerohet shumë ngadalë. Sot, gati dy miliardë njerëz, me shumë mundësi do të kenë ende mungesë qasje për ujin deri në vitin 2030.
Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar, ose USAID-it, u zotuan të punojnë me qeveritë dhe organizatat e tyre partnere për të ndihmuar në mbylljen e hendekut midis vendit ku jemi dhe ku duhet të jemi nëse duam të arrijmë qëllimin e ujit të pastër dhe kanalizimeve për të gjithë deri në vitin 2030. Shumica e 2 miliardë njerëzve që ka të ngjarë të mbeten prapa pa asnjë qasje tek uji bazë, jetojnë në vetëm 21 vende.
Më 15 nëntor, USAID-i publikoi listën e tij vjetore të vendeve me prioritet të lartë për asistencën e ujit, kanalizimeve dhe higjenës të sigurt dhe të qëndrueshme për vitin fiskal 2022.
Pasi të identifikohen zonat me më shumë nevojë për investime për të përmirësuar qasjen tek uji i pastër dhe kanalizimet brenda çdo vendi me prioritet të lartë, USAID-i do të punojë me qeveritë, shoqërinë civile, organizatat fetare dhe sektorin privat për të përmirësuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë e ujit.
Ky prioritet dhe përcaktim është pjesë e Strategjisë Globale të Ujit të qeverisë amerikane. Në katër vitet që nga shpallja e parë e Strategjisë Globale të Ujit 2017, asistenca financiare e USAID-it ka ndihmuar 15.5 milionë njerëz në botë të kenë qasje tek uji i pijshëm dhe 14.8 milionë njerëz të kenë qasje në kanalizime të qëndrueshme.
Uji i pijshëm i sigurt është thelbësor për jetë të shëndetshme dhe komunitete të begata. Investimet në qasjen tek uji i pastër dhe kanalizimet mund të kenë përfitime të padiskutueshme ekonomike dhe shëndetësore publike. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë.