Rruga diplomatike për Rusinë, e hapur

Antony Blinken

Komenti pasqyron pikëpamjen e qeverisë së Shteteve të Bashkuara

Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët dhe partnerët e tyre, po angazhohen me Rusinë në një seri diskutimesh me qëllim që të ulin përshkallëzimin në krizën e shkaktuar nga grumbullimi i paprovokuar ushtarak i Rusisë pranë kufirit me Ukrainën. Këto bisedime përfshijnë Dialogun Strategjik të Stabilitetit midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, një takim të Këshillit NATO-Rusi dhe një takim të Këshillit të Përhershëm në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Duke folur me gazetarët përpara diskutimeve, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha: "Diplomacia është mënyra e vetme e përgjegjëshme për të zgjidhur këtë krizë" dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët e tyre janë të gatshëm të dëgjojnë çdo shqetësim legjitim të sigurisë. Rusia mund t'i ketë dhe të përpiqet t'i adresojë ato, "nëse Kremlini është i përgatitur të përgjigjet në lidhje me sjelljen e tij të rrezikshme dhe destabilizuese".

Sekretari Blinken nënvizoi se është agresioni i Moskës ai që ka sjellë krizën, duke përfshirë grumbullimin masiv të forcave dhe pajisjeve ushtarake pranë kufirit të Ukrainës. Dhe ky është veprimi i fundit në një seri aktesh agresioni që Rusia ka kryer kundër fqinjëve të saj gjatë dy dekadave të fundit, duke përfshirë veprimet kundër Gjeorgjisë, Moldavisë dhe vetë Ukrainës kur Rusia pushtoi dhe aneksoi Krimenë në vitin 2014.

Kërcënimet aktuale të Rusisë kundër Ukrainës kërcënojnë më shumë se vetëm Ukrainën, tha sekretari Blinken. “Veprimet e Moskës kanë kërcënuar të krijojnë një precedent të ri në tokën evropiane, ku parimet bazë ndërkombëtare që janë jetike për paqen dhe sigurinë debatohen: që kufijtë dhe integriteti territorial i një shteti nuk mund të ndryshohen me forcë; se është e drejta e natyrshme e qytetarëve në një demokraci të marrin vendimet e vendit të tyre dhe të përcaktojnë të ardhmen e vendit të tyre; se të gjithë anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare janë të detyruar nga rregulla të përbashkëta dhe duhet të përballen me kosto nëse nuk i përmbushin angazhimet solemne që ata marrin.”

Sekretari Blinken e bëri të qartë se nëse Rusia pushton më tej Ukrainën, ajo do të përballet me sanksione masive ekonomike dhe financiare dhe masa të tjera nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët e saj në një shkallë të paprecedentë. “Shpresojmë që Rusia të bëjë një zgjedhje tjetër”, tha sekretari Blinken. “Ne jemi të përkushtuar ndaj dialogut reciprok kuptimplotë me Rusinë, ashtu siç jemi plotësisht të përkushtuar të konsultojmë dhe koordinojmë me aleatët dhe partnerët tanë – përfshirë Bashkimin Evropian – në të gjitha diskutimet tona në të gjitha formatet. Ne besojmë se ka fusha ku mund të bëjmë përparim.”