Diplomacia është rruga e duhur për krizën Rusi-Ukrainë

Komenti pasqyron pikëpamjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara

Rusia ka krijuar një krizë ndërkombëtare duke grumbulluar 100,000 trupa në kufijtë e Ukrainës. "Është Rusia ajo që ka shkaktuar sabotim të brendshëm, destabilizim dhe pretekste të rreme për luftë me Ukrainën," deklaroi nënsekretarja e Shtetit për Çështjet Politike Victoria Nuland në një konferencë të fundit për shtyp.

"Dhe është Rusia ajo që ka përhapur dizinformata dhe gënjeshtra për Ukrainën, për Shtetet e Bashkuara dhe për NATO-n për të justifikuar veprimet e veta."

Shtetet e Bashkuara u janë përgjigjur këtyre provokimeve me një sërë bisedimesh diplomatike. "Diplomacia," tha nënsekretarja Nuland, "është alternativa më e mirë për të rivendosur stabilitetin dhe sigurinë për Ukrainën, për Evropën dhe për vetë Rusinë."

Në Dialogun Strategjik për Stabilitetin me Rusinë, SHBA-ja ka demonstruar përkushtimin e saj ndaj diplomacisë duke vendosur idetë mbi tryezë, përfshirë në lidhje me transparencën ushtarake, masat për reduktimin e rrezikut dhe stërvitjet, tha nënsekretarja Nuland:

"Ne kemi bërë gjithashtu të qartë se përparimi i vërtetë mund të bëhet vetëm në një klimë të zbutjes së tensioneve, jo përshkallëzimit, dhe mbi bazën e reciprocitetit të vërtetë. Kjo kërkon Rusia të vazhdojë negociatat dhe të ndërmarrë hapa konkretë për të ulur tensionet”.

"Rusia tani duhet të zgjedhë mes rrugës së diplomacisë dhe dialogut nga njëra anë ose konfrontimit dhe pasojave masive që ai do të sillte," tha Sekretarja Nuland:

"Nëse qeveria ruse ndërmerr përsëri aggression ndaj Ukrainës, destabilizon më tej Ukrainën, ne jemi të gatshëm dhe të bashkuar me aleatët tanë dhe partnerët tanë për të vendosur kosto të rënda. Ne do të përgjigjemi me masa ekonomike, duke përfshirë ato që nuk janë përdorur më parë, dhe që do të sillnin pasoja shumë të konsiderueshme për ekonominë e Rusisë dhe sistemin e saj financiar”.

"Por më lejoni të theksoj përsëri, preferenca jonë është diplomacia," tha nënsekretarja Nuland. Kjo qasje ka dhënë rezultate në të kaluarën. "Ne kemi negociuar mekanizma të shumta që kanë formuar themelet e paqes dhe sigurisë, përfshirë Marrëveshjet e Helsinkit, Traktatin për mospërhapjen bërthamore dhe marrëveshje të tjera për kontrollin e armëve."

Diplomacia, në konsultim dhe koordinim të plotë me aleatët tanë dhe me çdo vend, interesat e të cilit janë prekur, është rruga përpara, tha Sekretarja Nuland. "Kjo është ajo që duhet të ndodhë tani."