Nxitja e të Drejtave të Vajzave

  • VOA Policy

“Çdo vajzë meriton të jetojë në një botë pa dhunë dhe diskriminim me bazë gjinore, ku ka qasje në arsim cilësor, kujdes shëndetësor dhe mundësi punësimi në të ardhmen”, tha ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas Greenfield.

Në të vërtetë, këto janë të drejtat njerëzore të çdo vajze. Sigurimi i mbrojtjes së këtyre të drejtave është thelbësor për t'i dhënë fund varfërisë ekstreme dhe për të rritur prosperitetin e përbashkët të çdo shoqërie apo vendi.

Investimi në arsimimin e vajzave sjell përfitime jo vetëm për vajzat, por edhe komunitetet e tyre. Sipas Bankës Botërore, vajzat me arsim të mesëm rriten në gra që janë më të informuara për ushqimin dhe kujdesin shëndetësor. Ato kanë më pak gjasa të martohen para moshës 18 vjeç dhe kanë më pak fëmijë. Ato gjithashtu kanë më shumë gjasa të punojnë jashtë shtëpisë dhe të fitojnë të ardhura më të larta. Si rezultat, ato kanë fëmijë më të shëndetshëm, më të arsimuar, të cilët vetë kanë fëmijë të mirë-arsimuar dhe të shëndetshëm.

Megjithatë, në shumë vende, vajzat përballen me pengesa për të përfunduar arsimin e tyre. Banka Botërore paralajmëron se shoqëritë që i pengojnë vajzat të përfundojnë arsimin 12-vjeçar, humbasin midis 15 dhe 30 trilion dollarë nga produktiviteti dhe fitimet gjatë gjithë jetës së tyre.

Është e rëndësishme të theksohet se pengesat me të cilat përballen vajzat ndikojnë drejtpërdrejt në aftësinë e tyre për të mësuar dhe për të qënë sa më produktive. Së pari, vajzat shpesh ndihen të pasigurta gjatë shkollës dhe gjatë udhëtimit për në shkollë dhe nga shkolla. Dhuna me bazë gjinore është një nga arsyet pse ato mund të mos e përfundojnë arsimin. Paragjykimi gjinor në klasë është një sfidë tjetër. Stereotipet gjinore kanë një ndikim afatgjatë negativ në vetëvlerësimin dhe performancën akademike të vajzave, si dhe në zgjedhjen e tyre të fushës së studimit. Vajzave duhet t'u jepet mundësia për të përfunduar të gjitha nivelet e arsimit dhe për të mësuar aftësitë e nevojshme për të konkurruar në tregun e punës. Ato duhet të lejohen të marrin vendime për jetën e tyre dhe të kontribuojnë në komunitetet dhe vendet e tyre.

"Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e të gjitha vajzave dhe grave të reja", tha ambasadorja Thomas Greenfield. “Ne i bëjmë thirrje botës të bashkëpunojë me ne për të siguruar që vajzat të kenë qasje në ushqim dhe ujë të pijshëm, në arsim, në kujdes mjekësor dhe vaksina dhe në një të ardhme pa dhunë ku të respektohen të drejtat e tyre njerëzore,” tha ajo.

“Ne e dimë se kur vajzat janë në gjendje të kenë pjesëmarrje të lirë dhe të plotë në bisedat globale, ne të gjithë do të kemi më shumë përfitime.”