Përcaktimi i shkelësve të sanksioneve ndaj Koresë së Veriut

  • VOA Policy

Republika Popullore Demokratike e Koresë, ose RPDK, vazhdon ritmin, shkallën dhe shtrirjen e saj të paprecedentë të lëshimeve të raketave balistike. Që nga 14 tetori, Koreja e Veriut ka lëshuar 44 raketa balistike këtë vit, gjashtë prej të cilave ishin raketa balistike ndërkontinentale.

Si përgjigje, Shtetet e Bashkuara po vendosin sanksione ndaj dy individëve dhe tre subjekteve të lidhura me dërgimin e naftës së rafinuar në RPDK, që mbështet drejtpërdrejt zhvillimin e programeve të armëve të RPDK-së dhe ushtrisë së saj.

Zyra e Departamentit amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja, ose OFAC po cakton në listën e sanksioneve entitetin New Eastern Shipping Co Ltd., së bashku me individët Kwek Kee Seng dhe Chen Shih Huan, për pjesëmarrje në transferimin ose shpërndarjen e produkteve të naftës të rafinuar në RPDK. OFAC po përcakton në listë gjithashtu dy entitete që janë në pronësi ose të kontrolluara nga këta individë: Anfsar Trading dhe Swanseas Port Services.

Si rezultat i këtyre veprimeve, të gjitha pronat dhe interesat në pronësi të individëve dhe subjekteve që janë në Shtetet e Bashkuara ose në zotërim ose kontroll të personave amerikanë duhet të bllokohen dhe të raportohen në OFAC. Rregulloret e OFAC-së në përgjithësi ndalojnë të gjitha marrëdhëniet e personave amerikanë ose brenda Shteteve të Bashkuara që përfshijnë ndonjë pronë ose interes në pronën e personave të bllokuar.

Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ndalojnë transferimet nga anije në anije të çdo ngarkese në ose nga anijet me flamur të RPDK-së dhe kufizojnë importin e produkteve të naftës të rafinuar nga RPDK-ja në 500,000 fuçi në vit duke filluar nga viti 2018 - një kufi që RPDK-ja e ka thyer çdo vit që nga ajo kohë. Çdo import i naftës së rafinuar në RPDK është i paligjshëm nëse nuk raportohet në Komitetin 1718 të OKB-së.

“Lëshimet e raketave balistike me rreze të gjatë veprimi të RPDK-së, duke përfshirë ato mbi Japoninë, tregojnë një shpërfillje të vazhdueshme për rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha Brian Nelson, nënsekretari për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare. “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të zbatojnë sanksionet shumëpalëshe dhe të ndjekin përpjekjet e RPDK-së për shmangien e sanksioneve në mbarë botën, duke përfshirë edhe përcaktimin e atyre që mbështesin këto aktivitete”.