Lironi mbrojtësin e të drejtave ruse Kara-Murza

  • VOA Policy

Gjyqi me dyer të mbyllura i aktivistit rus pro-demokracisë dhe mbrojtësit të të drejtave të njeriut Vladimir Kara-Murza filloi në Moskë më 13 mars.

Autoritetet ruse kanë ngritur tre akuza të motivuara politikisht kundër zoti Kara-Murza në lidhje me deklaratat që ai bëri në kundërshtim me pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm dhe pa kushte.

Zoti Kara-Murza u arrestua në prill 2022 dhe që atëherë është mbajtur në paraburgim.

Ai u akuzua për shpërndarjen e "lajmeve të rreme" për ushtrinë ruse dhe më pas u etiketua si "agjent i huaj".

Një këshilltar i lartë i udhëheqësit të vrarë të opozitës Boris Nemtsov, zoti Kara-Murza ka mbrojtur me guxim të drejtat e njeriut në Rusi dhe ka qenë vazhdimisht në shënjestër nga autoritetet ruse për represion.

Ai pësoi helmime të rënda në vitin 2015 dhe 2017, që beson se kishin lidhje të drejtpërdrejtë me aktivitetet e tij politike.

Në fillim të marsit, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj gjashtë shtetasve rusë për përfshirjen e tyre në abuzime serioze të të drejtave të njeriut kundër zotit Kara-Murza.

Departamenti i Thesarit përcaktoi tre shtetas rusë për shkak të përfshirjes së tyre në abuzime serioze të të drejtave të njeriut.

"Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të siguruar që përpjekjet e Vladimir Putin për të mbyllur gojën e kritikëve nuk do të kenë sukses në shtypjen e së vërtetës për luftën e tij brutale kundër Ukrainës."