Një temë kryesore e takimit të fundit të ministrave të jashtëm të G7-ës në Japoni ishte se si vendet anëtare mund të kombinojnë forcën e tyre politike dhe ekonomike "për të mbështetur vendet në çdo kontinent në përmbushjen e sfidave të tyre të ushqimit, energjisë, klimës, infrastrukturës dhe teknologjisë", tha Sekretari i Shteti Antony Blinken:
“Kjo do të thotë formësimi i një sistemi ndërkombëtar më gjithëpërfshirës – duke përfshirë reformën e OKB-së, për ta bërë sistemin financiar ndërkombëtar më të përgjegjshëm ndaj nevojave aktuale të vendeve dhe gjetjen e formateve të reja për konsultime që mirëpresin më shumë zëra. Do të thotë t'u ofrosh më shumë vendeve mënyra më të mira, më të qëndrueshme dhe më të drejta për të përparuar, duke respektuar sovranitetin e tyre. Nga Azia Qendrore në Ishujt e Paqësorit në Afrikë, Amerikën Latine dhe Lindjen e Mesme, qëllimi ynë është t'u ofrojmë udhëheqësve dhe qytetarëve zgjedhje më të mira - pa detyrime, borxhe të paqëndrueshme dhe ndikim keqdashës.
Vendet e G7-ës diskutuan gjithashtu sfidat për një sistem ndërkombëtar të lirë, të hapur, të sigurt dhe të begatë, veçanërisht luftën e Rusisë kundër Ukrainës, vuri në dukje Sekretari Blinken:
“Ne u angazhuam për Ukrainën: për sigurinë dhe mbështetjen ekonomike që i nevojitet sot për të mbrojtur sovranitetin dhe popullin e saj, dhe në një aspekt afatgjatë për të siguruar që Ukraina jo vetëm të mbijetojë, por të lulëzojë – dhe që Rusia të pengohet nga agresioni i mëtejshëm.
Në lidhje me Kinën, vendet e G7-ës "janë të vendosura dhe të bashkuara në nevojën për diskutime të sinqerta me Pekinin për praktikat e tij të padrejta tregtare, veprimet e tij që minojnë rregullat ndërkombëtare nga të cilat përfitojnë të gjitha kombet dhe rreziqet nëse Pekini thyen premtimin dhe fillon armatosjen e Rusisë”, paralajmëroi sekretari Blinken.
"Dhe, sigurisht, ne jemi të bashkuar për t'i bërë të qartë Pekinit kundërshtimin tonë ndaj ndryshimeve të njëanshme të status quo-së me Tajvanin".
Diskutimet u fokusuan gjithashtu në rreziqet e përhapjes bërthamore. Sekretari Blinken shprehu mirënjohjen ndaj Japonisë për prioritetin e lartë që ka vendosur kundër kërcënimeve bërthamore:
“Këtu përfshihen lëshimet e rrezikshme të raketave balistike të Koresë së Veriut; Zgjerimi i aktiviteteve bërthamore nga Irani, duke përfshirë funksionimin e centrifugave të avancuara dhe akumulimin e uraniumit shumë të pasuruar, për të cilin ai nuk ka asnjë shpjegim apo qëllim të besueshëm civil; Pezullimi i marrëveshjes NEW START i Rusisë dhe retorika e papërgjegjshme bërthamore; ndërtimi jotransparent dhe i shpejtë i arsenalit bërthamor të Kinës”.
Ministrat e Jashtëm të G7 u angazhuan për të promovuar shoqëri të hapura, transparente, elastike dhe të qëndrueshme që mbrojnë të drejtat e njeriut, drejtësinë dhe dinjitetin dhe adresojnë nevojat e më të cenuarve.