Dita e Pavarësisë

  • VOA Policy

Sot amerikanët festojnë 247 vjetorin e themelimit të Shteteve të Bashkuara. Më 4 korrik 1776, Kongresi Kontinental, në atë kohë organi drejtues i 13 qeverive koloniale të Amerikës së Veriut, miratoi formulimin përfundimtar të Deklaratës së Pavarësisë. Me këtë veprim, 13 shtetet i shpallën botës pavarësinë e tyre nga Perandoria Britanike.

Vendimi për të ndërprerë lidhjet me monarkinë britanike ishte duke u marrë prej vitesh, duke reflektuar zhgënjimin në rritje të kolonistëve me mënyrën se si ata qeveriseshin. Ata e kundërshtuan përpjekjen afatgjatë të qeverisë britanike për të vendosur kontroll gjithnjë e më të rreptë mbi ta, si dhe vendosjen e taksave të tepruara si një mjet për të shlyer borxhet e mëdha të kurorës angleze.

Deklarata e Pavarësisë ishte kulmi i viteve të përpjekjeve gjithnjë e më luftarake nga ana e kolonistëve, për të larguar këto shtrëngime. Lufta Revolucionare Amerikane filloi në fakt më shumë se një vit më parë, në prill të vitit 1775. Kur përfundoi në 1782 me fitoren e kolonistëve, vendi i ri më në fund ishte i lirë të përcaktonte rrugën e tij, të zhvillonte prodhimin e tij, të eksportonte mallrat e prodhuara dhe të zhvillonte tregtinë jashtë vendit. Ekonomia u rrit dhe nga fillimi i shekullit të ri, Shtetet e Bashkuara filluan të fitojnë një reputacion si një vend i mundësive, ku njerëzit mund të fillonin nga e para, të bënin pasurinë e tyre dhe të mos ishin nën kujdesin e askujt.

“Amerika rilind gjithmonë, gjithmonë është në lëvizje, gjithmonë një punë në zhvillim. Kjo është fjala kyçe, një ide kyçe, një çelës në jetën e kombit tonë: përparim, lëvizje përpara, krijimi i mundësive, përmbushja e premtimeve. Kjo është historia amerikane”, tha presidenti Joe Biden.

“Por çdo ditë, kujtohemi se nuk ka asgjë të garantuar për demokracinë tonë, asgjë të garantuar për mënyrën tonë të jetesës. Ne duhet të luftojmë për të, ta mbrojmë atë dhe ta fitojmë atë duke votuar për të përmirësuar, zhvilluar dhe zgjeruar thirrjen e Amerikës për të ecur përpara me guxim dhe pa frikë”, tha ai.

“Kjo ditë na kujton atë që na bashkoi shumë kohë më parë, çfarë na lidh ende, dhe në rastin tonë më të mirë, atë për të cilën përpiqemi. "Ne populli". Nuk është një frazë boshe në Amerikë. "Ne populli" duke bërë gjithçka mundemi për të siguruar që ideja e Amerikës dhe kauza e lirisë, e drejtësisë dhe e barazisë të bëjë më shumë sesa t'i mbijetojë ndasive të kohës sonë, por që ajo të shkëlqejë si dielli për të ndriçuar të ardhmen e botës sonë .