Pretendimet hipokrite të Rusisë për persekutimin fetar në Ukrainë

  • VOA Policy

Russia Ukraine War

Më 23 korrik, një raketë ruse goditi dhe dëmtoi rëndë Katedralen e Shndërrimit, një kishë ortodokse ukrainase dhe më e madhja e Odesës. Kjo shton një tjetër objekt fetar ukrainas në 116 tashmë të dëmtuara ose shkatërruar nga ushtria ruse, pjesë e përpjekjes së Presidentit Vladimir Putin për të zhdukur kulturën dhe trashëgiminë ukrainase.

Megjithatë, vetëm tre ditë pas shkatërrimit të katedrales kryesore të Odesës, Rusia thirri një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për t'u ankuar për atë që ajo e quan persekutim të Kishës Ortodokse të Ukrainës. Në diskutim është një ligj i propozuar që do të ndalon kishat ortodokse të lidhura me Rusinë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy e përshkroi legjislacionin si të krijuar për t'i mohuar Moskës aftësinë e mëtejshme për të "dobësuar Ukrainën nga brenda".

Ankesat e Rusisë janë “mizorisht ironike, duke pasur parasysh se forcat ruse shkatërruan Katedralen historike të Odesës me një raketë ruse të shënjestruar”, tha Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield.

“Sipas UNESCO-s, afërsisht 270 vende kulturore janë dëmtuar që kur Presidenti Putin filloi pushtimin e tij në shkallë të plotë të Ukrainës. Humbja e trashëgimisë kulturore të Ukrainës është tronditëse dhe vërtet e turpshme. Dhe sulmi në Katedralen historike të Shndërrimit ishte vetëm një nga sulmet e shumta që Rusia ka kryer në rajonin e Odesës këtë javë.

Për më tepër, Rusia "ankohet në mënyrë cinike për keqtrajtim të Kishës Ortodokse të Ukrainës ndërsa ajo angazhohet në shtypje sistematike fetare në territoret nën pushtimin e saj", tha Trina Saha, Zëvendës Këshilltare Politike e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara.

“Rusia vazhdon të keqtrajtojë anëtarët e grupeve të pakicave fetare në zonat e Ukrainës që pushtoi gjatë luftës së saj të paligjshme. Thirrja e Rusisë për këtë takim pas shkatërrimit të Katedrales historike të Odesës, e cila i përket vetë Kishës Ortodokse të Ukrainës, të cilën qeveria ruse pretendon se po e mbron sot, është e tmerrshme”.

Sipas Nihal Saad, Drejtor i Aleancës së Qytetërimeve të OKB-së, një mision monitorues dokumentoi zhdukjen e detyruar, ndalimin arbitrar, torturën dhe dëbimet e kryera nga forcat e armatosura ruse kundër klerikëve dhe anëtarëve të komuniteteve katolike greke dhe ungjillore të krishtera ukrainase. Ata gjithashtu plaçkitën dhe mbyllën tre objekte të adhurimit baptist në Melitopol.

“Shtetet e Bashkuara i marrin seriozisht akuzat për shkelje të të drejtave të njeriut, përfshirë lirinë e fesë ose besimit. Ne presim që të gjitha qeveritë të respektojnë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore”, tha këshilltari Saha. “Ne i bëjmë thirrje Kremlinit të ndërpresë luftën e tij të pakuptimtë dhe të respektojë të drejtat e njeriut të të gjithëve dhe sigurinë e popullsisë civile të Ukrainës, duke përfshirë anëtarët e të gjitha komuniteteve fetare.”