SHBA: Një qasje e bashkuar është jetike për hapat e ardhshëm në Afganistan

Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas së fundmi organizuan një konferencë ministrore mbi Afganistanin me vende nga e gjithë bota.

Sekretari Blinken u përqendrua në tre fusha, ku përafrimi i qëndrimeve dhe bashkëpunimi i bashkësisë ndërkombëtare janë veçanërisht të rëndësishme.

E para është që të kërkojnë nga talebanët që të respektojnë zotimet e tyre për të lejuar shtetasit e huaj, ata që janë të pajisur me viza dhe afganët të udhëtojnë jashtë vendit nëse dëshirojnë ta bëjnë këtë. Duke iu përgjigjur argumenteve të talebanëve se largimi i njerëzve me ekspertizë do të shkaktonte atë që quhet "rrjedhje e trurit", Sekretari Blinken tha, "Mënyra më e mirë për t'i inkurajuar njerëzit të qëndrojnë në vend është t'i lejosh të largohen nga Afganistani, si dhe të mbrosh të drejtat e tyre themelore." Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të gjithë afganëve.

Së dyti, Sekretari Blinken theksoi se bashkësia ndërkombëtare duhet të kërkojë nga talebanët që të respektojnë angazhimin për të mos lejuar grupet terroriste që të përdorin Afganistanin si bazë për operacionet që kërcënojnë vendet e tjera.

"Sigurisht që ne nuk mund të mbështetemi vetëm tek talebanët për të përmbushur këto angazhime", deklaroi Sekretari Blinken. "Të gjithë ne duhet të jemi vigjilentë dhe të monitorojmë kërcënimet, veçanërisht çdo rishfaqje të komploteve të drejtuara nga jashtë, dhe t'i trajtojmë ato shpejt kur ato shfaqen. Siç e ka bërë të qartë Presidenti Biden, Shtetet e Bashkuara do të ruajnë aftësitë e fuqishme kundër terrorizmit në rajon për të neutralizuar çdo kërcënim dhe ne nuk do të hezitojmë t'i përdorim ato nëse është e nevojshme."

Së treti, Sekretari i Shtetit Blinken nënvizoi nevojën që komuniteti ndërkombëtar të vazhdojë përpjekjet për t’u siguruar që ndihma humanitare të jetë në dispozicion për popullin afgan, në përputhje me sanksionet e SHBA-ve dhe OKB-së kundër terroristëve.

"Të tre këta objektiva thelbësorë do të kërkojnë angazhim me talebanët, por ekziston një dallim thelbësor midis angazhimit që kemi patur me ata gjatë evakuimit, të cilin ne vazhdojmë ta kemi ... dhe trajtimit të talibanëve siç trajtojmë shumicën qeverive të vendeve të tjera", tha Sekretari Blinken. Legjitimiteti që talebanët pretendojnë se duan, tha ai, duhet të fitohet me kalimin e kohës me një angazhim të qëndrueshëm ndaj pritshmërive thelbësore të bashkësisë ndërkombëtare. Kjo përfshin respektimin e përparimeve të arritura gjatë 20 viteve të fundit që çuan në zgjerimin e të drejtave të grave, fëmijëve, gazetarëve, personave me aftësi të kufizuara, anëtarëve të komunitetit LGBTQI+ dhe anëtarëve të grupeve minoritare.

"Për të çuar përpara interesat tona të përbashkëta", deklaroi Sekretari Blinken, "angazhimi ynë me talebanët duhet të jetë koherent, i qartë, i kujdesshëm dhe, përsëri, sa më i përafërt që të jetë e mundur."