Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin përmendi një ndihmë të re ushtarake të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën gjatë takimit të tij të fundit me ministrin ukrainas të mbrojtjes Rustem Umerov.
"Jam krenar që Shtetet e Bashkuara së shpejti do të njoftojnë një ndihmë të re ushtarake prej 2.3 miliardë dollarësh për Ukrainën," tha ai.
Ndihma ushtarake synon t'i ofrojë Ukrainës burime thelbësore në një moment vendimtar të luftës. Në kuadër të kësaj ndihme, Shtetet e Bashkuara do t’i japin Ukrainës "më shumë armë të mbrojtjes ajrore, armë kundër tankeve dhe armë të tjera të rëndësishme", tha Sekretari Austin.
"Kjo gjithashtu do t'i mundësojë Shteteve të Bashkuara të blejnë më shumë municione për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot dhe NASAMS, të cilat do të sigurohen në një afat kohor të përshpejtuar."
Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje dypalëshe sigurie 10-vjeçare, duke nënvizuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën në ndërtimin dhe forcimin e aftësive të saj të mbrojtjes dhe atyre frenuese në aspektin afatgjatë në takimin e G7-ës në qershor.
Siç tha Presidenti Biden, "një paqe e qëndrueshme për Ukrainën duhet të garantohet nga aftësia e vetë Ukrainës për të mbrojtur veten tani dhe për të frenuar agresionet e ardhshme".
Shtetet e Bashkuara kanë qenë të palëkundura në angazhimin për të përmbushur nevojat ushtarake të Ukrainës pavarësisht sulmeve të vazhdueshme të Rusisë, tha Sekretari Austin.
“Ukraina është përfshirë në një luftë të ashpër që nga vendimi i papërgjegjshëm i Putinit për të nisur sulmin ndaj Kievit. Kremlini vazhdon të intensifikojë bombardimet ndaj qyteteve tuaja dhe civilëve.”
Sekretari Austin vlerësoi aftësinë e forcave ukrainase në përpjekjet e tyre për t’u "përballur me sulmet e Rusisë me guxim dhe zgjuarsi".
Angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj Ukrainës mbetet i fortë, tha Sekretari Austin. “Krahas rreth 50 aleatëve dhe partnerëve, ne do të vazhdojmë të ofrojmë ndihma jetike që i duhen Ukrainës për të zmbrapsur agresionin rus sot dhe për të frenuar agresionin rus nesër.”
Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin mbi ndihmën ushtarake amerikane për Ukrainën
"Ne do të vazhdojmë të ofrojmë ndihma jetike që i duhen Ukrainës për të zmbrapsur sulmet ruse sot dhe për të frenuar agresionin rus nesër”, tha Sekretari Austin.