Blinken: Strategjia e Rusisë në Ukrainë ka dështuar në çdo aspekt

(FILE) A destroyed Russian tank remains on the side of the road in Luhansk region in Ukraine.

“Nga pothuajse çdo aspekt, sulmi i Presidentit Putin në Ukrainë ka qenë një dështim strategjik”, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken.

Një nga qëllimet afatgjata të Vladimir Putinit ka qenë përçarja dhe dobësimi i NATO-s. Të bindur se kishte pak mundësi për konflikt të armatosur në Evropë, shumë anëtarë të NATO-s ulën shpenzimet e tyre në fushën e mbrojtjes. Por sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022, bëri që aleatët e NATO-s të angazhoheshin për të rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe për të dislokuar forca të reja në krahun lindor të NATO-s.

Në realitet, gjatë disa muajve, një reagim i ashpër ndaj agresionit rus në Ukrainë shkaktoi një numër vërtetë të madh dështimesh, rezultate të dobëta dhe plane të dështuara ushtarake, ekonomike dhe ndërkombëtare të Rusisë.

Vendet evropiane, të cilat importonin 37 për qind të gazit të tyre natyror nga Rusia, përgjysmuan importet e tyre. Sanksionet dhe kontrollet e eksporteve të vendosura nga qeveritë në mbarë botën nxorën në pah "dështimin afatgjatë të Moskës për të diversifikuar ekonominë e Rusisë, për të forcuar kapitalin e saj njerëzor, për të integruar plotësisht vendin në ekonominë globale", tha sekretari Blinken.

“Presidenti Putin donte ta ndërtonte Rusinë si një fuqi ekonomike globale. Sot, ekonomia e Rusisë është një hije e asaj që ishte dhe një pjesë e vogël e asaj që mund të ishte nëse Putini do të kishte investuar në teknologji dhe novacion në vend të armëve dhe luftës.”

Edhe ushtria ruse u zhgënjeu në përpjekjet e saj në Ukrainë. “Sot, shumë njerëz e shohin ushtrinë ruse si ushtrinë e dytë më të fortë në Ukrainë. Pajisjet e saj, teknologjia, udhëheqja, trupat, strategjia, taktikat dhe morali, janë një rast i studimit të dështimit të një operacioni ushtarak.”

Në mënyrë të ngjashme, partnerët e Rusisë, përfshirë Kinën, u distancuan nga Moska.

Në fund, “qëllimi kryesor i Presidentit Putin” për të fshirë identitetin e Ukrainës dështoi.

"Ukraina mbetet sovrane, e pavarur dhe ka në kontroll fatin e saj", tha Sekretari Blinken. “Anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të jetë një çështje që duhet të vendosin aleatët dhe Ukraina – jo Rusia”.

“Paqja do të arrihet jo vetëm nëpërmjet fuqisë ushtarake afatgjatë të Ukrainës, por edhe fuqisë së ekonomisë dhe demokracisë së saj. Kjo është në qendër të vizionit tonë për rrugën përpara: Ukraina jo vetëm që duhet të mbijetojë, por edhe duhet të zhvillohet.”

“Nëse dhe kur Rusia është gati të punojë për paqen e vërtetë, Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen së bashku me Ukrainën, aleatët dhe partnerët e tjerë në mbarë botën”, tha Sekretari Blinken. “Në javët dhe muajt në vijim, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Ukrainën, me aleatët dhe partnerët tanë, si dhe të gjitha palët e përkushtuara për të mbështetur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.”