Përpjekjet e Rusisë për të importuar më shumë armë nga Koreja e Veriut

Kanë kaluar 18 muaj që kur Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi fillimin e të ashtuquajturit “operacion të posaçëm ushtarak” kundër Ukrainës, të cilin vendet e civilizuara të botës e konsiderojnë në mënyrë të saktë sulm brutal dhe të paprovokuar të Rusisë.

Putini mendonte se “operacioni” do të ishte i shpejtë dhe pa dhimbje për Rusinë, por kjo nuk ndodhi. Drejtorja e agjencisë amerikane të Inteligjencës Kombëtare, Avril Haines i tha Kongresit se “Moska e kishte nënvlerësuar fuqinë e rezistencës së Ukrainës dhe nivelin e sfidave të brendshme të ushtrisë ruse.”

Natyrisht, Ukraina ka vuajtur më së shumti nga agresioni i Rusisë, i cili ka sjellë pasoja shkatërrimtare për popullsinë, infrastrukturën dhe ekonominë e saj. Por, kostoja për Rusinë ka qenë gjithashtu e lartë, me përllogaritje për mijëra ushtarë të vrarë, rritje të mëdha të shpenzimeve ushtarake, mungesa të municioneve, përfshirë tanke, dronë, dhe artileri.

Mungesat e municioneve janë kryesisht pasojë e sanksioneve të perëndimit, që kanë detyruar Kremlinin të kërkojë ndihmë nga vende që nuk janë të shqetësuara aspak nga ajo që po ndodh në Ukrainë ose për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar.

Irani është në mesin e këtyre vendeve. Rusia ka marrë qindra dronë nga Teherani, të cilët ushtria ruse i përdor për të shkatërruar infrastrukturën ukrainase dhe për të vrarë civilë. Tani Moska po merr materiale për të ndërtuar një fabrikë të prodhimit të dronëve brenda Rusisë.

Koreja e Veriut është një vend tjetër që ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Rusinë në përpjekjet për të shkatërruar Ukrainën. Në vitin

2022, Koreja e Veriut dërgoi raketa në Rusi për përdorim nga grupi mercenar rus “Wagner” në Ukrainë.

“Ky është një shembull tjetër i përpjekjeve dëshpëruese të zotit Putin, ndërsa makineria e tij ushtarake po vuan pasojat e sanksioneve dhe kontrollit mbi eksportet”, thotë koordinatori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Komunikimin Strategjik, John Kirby. “Përmes sasive të tij të mëdha të armëve, ai do të përpiqet të nënshtrojë Ukrainën, dhe për këtë arsye po kërkon ndihmën e vendeve si Koreja e Veriut dhe Irani. Ai po përpiqet të marrë ndihmë ushtarake edhe nga Kina.”

Zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësimin për mundësinë e vazhdimit të ndihmës së Koresë së Veriut për luftën brutale të Rusisë dhe kanë premtuar se do të publikojnë të gjitha transferimet e paligjshme të armëve dhe do të zbatojnë sanksionet e Shteteve të Bashkuara ndaj këtyre dy vendeve.