Pjesëmarrja e grave në negociata, i bën të qendrueshme marrëveshjet për paqen

(FILE) State Secretary of Antony Blinken listens as Romania's Foreign Minister Luminita Odobescu at the UN.

Kur gratë marrin pjesë plotësisht në nismat dhe negociatat për paqen dhe sigurinë, marrëveshjet e paqes kanë 35 për qind më shumë gjasa të zgjasin të paktën 15 vjet.

Kjo është arsyeja pse qeveria e Shteteve të Bashkuara publikoi në fund të tetorit, Strategjinë dhe Planin Kombëtar të Veprimit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë për vitin 2023.

Ideja është t'i jepet përparësi barazisë, përshirë atë gjinore në krijimin e një paqeje të qendrueshme në mbarë botën, dhe të nxitet pjesëmarrja e grave në planet për përgjigjen ndaj konflikteve dhe krizave dhe ato për rimëkëmbjen pas tyre.

“Kur respektohen të drejtat e grave, ne e dimë se shoqëritë janë më të sigurta, janë më të qëndrueshme me mirëqenie më të lartë", tha Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.

“Kur në forcat paqeruajtëse dhe të sigurisë përfshihen gratë, ato krijojnë më shumë besim tek komunitetet që ato mbrojnë.”

“Në një kohë … konfliktesh të vazhdueshme, nga Evropa në Sahel, në qendër të Lindjes së Mesme, kjo strategji rikonfirmon rëndësinë e rritjes së pjesëmarrjes të grave në proceset e ardhshme të paqes dhe negociatat për të reduktuar në mënyrë efektive dhunën, për të rindërtuar në mënyrë efektive shoqëritë.”

Në zemër të strategjisë, tha sekretari Blinken, janë pesë shtylla.

“Së pari, ne do të forcojmë udhëheqjen dhe pjesëmarrjen e grave në iniciativat e paqes dhe sigurisë brenda qeverisë së SHBA-së dhe gjithashtu në mbarë globin,” tha ai.

"Së dyti, ne do të mbrojmë dhe nxisim të drejtat e njeriut të grave dhe vajzave dhe do të ndihmojmë në parandalimin dhe përgjigjen ndaj dhunës me bazë gjinore gjatë konflikteve dhe gjatë krizave të tjera."

“Së treti, ne do të bëjmë më shumë për të përfshirë pikëpamjet dhe zërat e grave në proceset pas konflikteve dhe pas fatkeqësive natyrore, dhe do të sigurohemi që iniciativat tona të ndihmës humanitare të jenë më të drejta dhe që qasja ndaj tyre të jetë më e lehtë”, tha Sekretari Blinken.

"Së katërti, ne do t'i bëjmë politikat e jashtme dhe të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara më gjithëpërfshirëse."

Dhe së fundi, “Ne do të thellojmë bashkëpunimin tonë me partnerë në mbarë botën”.

“Ne do t'i ndjekim të gjitha këto synime duke forcuar pozitat e udhëheqësve lokalë, duke luftuar pabarazitë historike dhe sistematike, duke trajtuar format e diskriminimit me të cilat përballen gratë me ngjyrë, gratë me aftësi të kufizuara, anëtarë të komunitetit LGBTQI+, dhe grupe të tjera të diskriminuara dhe të nënpërfaqësuara.”

“Historia na mëson vazhdimisht përsëri se kur gratë janë të sigurta dhe të lira … dhe trajtohen si qenie njerëzore të barabarta, gjendja në gjithë botën është më e mirë”, tha sekretari Blinken.
"Pra, duke punuar së bashku, jam i bindur se mund të ndërtojmë një botë më të mirë."