Irani duhet të vlerësohet në bazë të veprimeve të tij

Zëvendës-zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, tha se Shtetet e Bashkuara kanë pikëpamje të ndryshme për padrejtësinë kur flitet për Iranin.  

Nëse Irani është i interesuar të jetë anëtar dhe palë e rendit botëror, tha zëvendës-zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, “Teherani duhet të fillojë të respektojë dhe t’i përmbahet rendin botëror”.

Presidenti i ri i Iranit, Masoud Pezeshkian, u betua në detyrë më 30 korrik, në një kohë tensionesh në rritje mes Izraelit dhe veglave të Teheranit në Lindjen e Mesme, përfshirë Hamasin në Gaza dhe Hezbollahun në Liban.

Zoti Pezeshkian e ka vlerësuar të ashtuquajturin “front i rezistencës” që lufton kundër Izraelit, duke u shprehur se mbështetja iraniane për të ishte një detyrim fetar.

Por tensionet u rritën edhe më shumë ditën pas inaugurimit të Presidentit Pezeshkian, me vrasjen në Teheran të udhëheqësit të lartë të Hamasit, Ismail Haniyeh, i cili kishte marrë pjesë në ceremoni. Disa orë më herët, Fouad Shukr, komandant i lartë i Hezbollahut, u vra në Bejrut nga një sulm izraelit me raketë.

Shtetet e Bashkuara, të cilat nuk ishin të përfshira në sulme, kanë theksuar në mënyrë të përsëritur të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten. Megjithatë, Uashingtoni po bën thirrje për përpjekje të reja për të gjetur një zgjidhje diplomatike të konflikteve, në një afat të afërt, përmes arritjes së një marrëveshjeje lidhur me propozimin aktual të armëpushimit në Gazë.

Gjatë fjalimit në ceremoninë e betimit, Presidenti Pezeshkian, përveç shprehjes së mbështetjes për palestinezët, bëri thirrje për “marrëdhënie normale me botën” dhe shprehu keqardhje në lidhje me sanksionet që i janë vendosur Iranit nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera. Ai u zotua se do të punonte për heqjen e sanksioneve duke i quajtur ato shtypëse dhe të padrejta.

Zëvendës-zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, tha se Shtetet e Bashkuara kanë pikëpamje të ndryshme për padrejtësinë kur flitet për Iranin.

“Ajo që Shtetet e Bashkuara mendojnë se është e padrejtë është trajtimi i vajzave dhe grave nga regjimi iranian. Ajo që mendojmë se është e padrejtë është shtypja e herëpashershme e protestave të thjeshta, njerëzve të thjeshtë që kërkojnë t’u dëgjohet zëri, që shprehin mendimet e tyre lidhur me veprimet e regjimit iranian. Këto janë padrejtësitë reale me të cilat po përballet populli iranian. Janë ato që regjimi iranian i ka shkaktuar popullit të tij”.

Zëdhënësi Patel tha se Shtetet e Bashkuara “do ta gjykojnë regjimin iranian për veprimet që ndërmerr, jo për fjalët boshe”.

Ai vuri në dukje se Irani ka bërë shumë shkelje, mes tyre edhe të detyrimeve për kontrollin bërthamor, mbështetjen për terrorizmin, financimin e grupeve të armatosura si dhe ka shpërfillur bazat themelore të demokracisë, bazën themelore të të drejtave të njeriut”.

“Nëse Irani është i interesuar të jetë anëtar dhe palë e rendit botëror”, tha zëvendës-zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, “Teherani duhet të fillojë të respektojë dhe t’i përmbahet rendin botëror ndërkombëtar”.