Qeveria iraniane ka ndërprerë qasjen në internet për shumicën e 80 milionë qytetarëve të saj në mënyrë që ata dhe bota të mos shohin shtypjen e dhunshme të protestuesve paqësorë, të cilët po protestojnë kundër vdekjes brutale të Mahsa Aminit në duart e Policisë së Moralit të Iranit. “Mahsa Amini ka vdekur në mënyrë të rëndë, tragjike dhe tani qeveria po shtyp dhunshëm protestuesit paqësorë të zemëruar me të drejtë për vdekjen e saj”, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken. “Është e qartë se qeveria iraniane ka frikë nga populli i saj.”
Zonja Amini u arrestua nga policia e Moralit në Iran me pretendimin se nuk e mbante siç duhej hixhabin. Ajo pësoi lëndime të rënda ndërsa ishte në paraburgim dhe më vonë vdiq në spital pasi ra në koma. Sipas njoftimeve të medias, të paktën 76 persona janë vrarë dhe më shumë se 1200 njerëz janë arrestuar në të gjithë Iranin. Protestuesit po kërkojnë t'i jepet fund mbajtjes së detyrueshme të hixhabit dhe shkeljeve të tjera të të drejtave të grave në Iran. Protestat janë përhapur në të paktën 80 qytete në të gjithë vendin.
Ndërsa qeveria e Iranit po qëllon në drejtim të protestuesve paqësorë dhe po ua ndërpret banorëve qasjen në internet, Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin veprime për të ndihmuar popullin iranian të ketë qasje pa kufizime tek informacioni përmes internetit. Për këtë arsye Zyra e Departamentit amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka lëshuar një autorizim të ri të zgjeruar që do t'i lejojë firmat e teknologjisë të ofrojnë më shumë shërbime dixhitale për njerëzit në Iran, nga qasja në shërbimet kompjuterike deri te mjetet më të mira për të rritur sigurinë dhe privatësinë e tyre në internet.
Këto hapa do të ndihmojnë iranianët t’u kundërvihen përpjekjeve të qeverisë iraniane për t'i vëzhguar dhe censuruar ata. Tani varet nga kompanitë e teknologjisë të vendosin nëse do të ofrojnë shërbime të autorizuara për iranianët.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë të identifikojë mundësi të reja për të mbështetur aftësinë e popullit iranian për të komunikuar lirshëm dhe pa frikë nga veprimet hakmarrëse të qeverisë.
Ndërsa qeveria e Iranit po qëllon me armë mbi protestuesit paqësorë dhe ka ndërprerë qasjen e banorëve të saj në internet, Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin veprime për të ndihmuar popullin iranian të ketë qasje të lirë tek informacioni përmes internetit.