Që nga shtatori i kaluar, Rusia ka bërë thirrje 14 herë për një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në përpjekje për ta fajësuar Kievin për agresionin e saj ndaj Ukrainës.
Moska po përpiqet t’i shtrembërojë veprimet e saj të 24 shkurtit të vitit 2022, duke u përpjekur ta portretizojë Ukrainën si vend agresor në luftën e filluar nga vetë Federata Ruse.
Kremlini aludon se e drejta e natyrshme për t’u vetëmbrojtur nuk zbatohet në rastin e Ukrainës, ose për ndonjë vend të vogël dhe se Ukraina nuk ka të drejtë të marrë ndihma nga aleatët e saj për të mbrojtur qytetarët dhe territorin e saj. Duhet të jemi të qartë se Federata Ruse nuk është viktima në luftën e paprovokuar të Vladimir Putinit kundër Ukrainës.
“Ne i dëgjojmë me vëmendje ato që thotë Rusia”, tha ambasadori John Kelley, këshilltar politik i Shteteve të Bashkuara në OKB. “Por le të shohim edhe veprimet e saj. Rusia po kryen agresion kundër një vendi sovran, anëtar të Kombeve të Bashkuara. Rusia vazhdon sulmet e pamëshirshme ndaj Ukrainës për të pushtuar territoret e saj”.
Pavarësisht se kritikoi aleatët e Ukrainës për furnizimin e saj me mjete për t'u mbrojtur, Rusia kërkon dhe merr armatime nga burime të ndaluara nga OKB-ja.
“Që nga dhjetori i kaluar, forcat ruse kanë përdorur mbi 40 raketa balistike të furnizuara nga Koreja e Veriut për të goditur Ukrainën. Që nga shtatori i kaluar, Rusia ka blerë mbi 11 mijë kontejnerë me municione dhe materiale ushtarake nga Pheniani, duke shkelur embargon e armëve që Kombet e Bashkuara kanë vendosur ndaj Koresë së Veriut. Rusia vazhdon gjithashtu të thellojë marrëdhëniet e saj ushtarake me Iranin, përfshirë blerjet e vazhdueshme të dronëve ushtarakë që i përdor për të sulmuar popullin ukrainas dhe infrastrukturën civile”, tha ambasadori Kelley.
“Ne vazhdojmë të jemi të shqetësuar lidhur me njoftimet se Rusia kërkon të sigurojë raketa balistike nga Irani. Një blerje e tillë do të përbënte një përshkallëzim domethënës të mbështetjes së Iranit për agresionin e Rusisë. Komuniteti Pjesa dërrmuese e komunitetit ndërkombëtar e ka dënuar agresionin rus në Ukrainë. Siç e kam thënë edhe më parë, Rusia mund t'i japë fund kësaj lufte sot”, tha ambasadori Kelley.
“Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për t'i ofruar Ukrainës atë që i duhet për ta mbrojtur veten. Ne i bëjmë thirrje edhe një herë Rusisë që të tërheqë menjëherë forcat e saj nga territori i Ukrainës, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht dhe të ndalojë blerjen e paligjshme të materialeve ushtarake nga Koreja e Veriut”.
Rusia nuk është viktimë në sulmin e paprovokuar të Vladimir Putinit ndaj Ukrainës
Moska po përpiqet t’i shtrembërojë veprimet e saj të 24 shkurtit të vitit 2022, duke u përpjekur ta portretizojë Ukrainën si vend agresor në luftën e filluar nga vetë Federata Ruse.