Më 22 janar, rreth 50 vende anëtare të OKB-së, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, nënshkruan një deklaratë të përbashkët që dënon agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. Dokumenti gjithashtu protestonte kundër hipokrizisë së Rusisë për thirrjen e një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar luftën në Ukrainë, në të cilin ajo u përpoq të fajësonte Ukrainën dhe vendet që e mbështesin atë, duke përjashtuar në të njëjtën kohë çdo plan paqeje të mbështetur nga Ukraina dhe aleatët e saj.
“Është cinizëm i shkallës më të lartë të pretendosh se mbështetja legjitime dhe e ligjshme për vetëmbrojtjen e Ukrainës po zgjat luftën dhe agresionin e Rusisë ndaj Kievit”, tha zyrtari amerikan për Çështjet e Posaçme Politike, Robert Wood.
“Duhet të përsëritet: ka qindra mijëra trupa ruse në territorin e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës. Nuk ka asnjë ushtar të vetëm ukrainas në tokën ruse. Asnjë teori konspirative dhe asnjë akuzë e pabazë nuk e fshinë faktin se shkelja e integritetit territorial të Ukrainës nga Rusia shkaktoi këtë luftë. Qëllimi i Presidentit Putin për zhdukjen e Ukrainës dhe nënshtrimin e popullit të saj po e zgjat këtë luftë. Planet imperialiste të Rusisë janë të qarta dhe ky takim është një përpjekje tjetër për të larguar vëmendjen nga krimet e saj të luftës dhe agresioni i saj në Ukrainë. Kemi të bëjmë me një situatë, ku zjarrvënësi fajëson zjarrfikësit në mënyrë që të vazhdojë krimin e tij.”
“Ndërsa sulmi i saj në shkallë të gjerë ka dështuar, Rusia është përpjekur të hedhë më shumë benzinë në zjarrin që e ka shkaktuar vetë”, tha ambasadori Wood. Rusia vërtetë ka shtuar arsenalin e saj të luftës, duke nënshkruar marrëveshje për furnizim me raketa balistike dhe armë të tjera me Korenë e Veriut dhe Iranin.
“Këto transferime të paligjshme armësh dhe transferimet e mundshme të teknologjisë nga Rusia në Korenë e Veriut minojnë qëndrueshmërinë rajonale dhe ligjet globale kundër eksportit të armëve”, tha ambasadori Wood.
"Ky Këshill duhet ta mbajë përgjegjës çdo vend që nuk i respekton detyrimet e tij, që rrjedhin nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së."
Ndërkohë, Ukraina ka udhëhequr takimet me një frymë paqësore, një shenjë e qartë e dëshirës së saj për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. “Krahasoni këto përpjekje me ato të Rusisë, e cila flet për një qëndrim të hapur ndaj dialogut ndërsa fillon sulme masive ajrore kundër qyteteve të Ukrainës”, tha ambasadori Wood.
“Ndërsa Ukraina është përfshirë në diplomaci me komunitetin ndërkombëtar, Rusia është përgjigjur duke kryer sulme me raketa. … Mos i dëgjoni vetëm fjalët e Rusisë. Shikoni veprimet e saj.”
“Rusia duhet të tërheqë menjëherë forcat e saj nga kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës, të ndalë blerjen e paligjshme të armëve nga Koreja e Veriut dhe të respektojë me përgjegjësi të plotë angazhimet e saj si anëtare e Këshilli dhe komunitetit ndërkombëtar.”
“Është cinizëm i shkallës më të lartë të pretendosh se mbështetja legjitime për vetëmbrojtjen e Ukrainës po zgjat luftën dhe agresionin e Rusisë ndaj Kievit”, tha zyrtari amerikan Robert Wood.