Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin vizitoi rishtazi tre vende në rajonin e Detit të Zi: Gjeorgjinë, Ukrainën dhe Rumaninë.
Ai vlerësoi partneritetin e fortë të sigurisë dhe vlerat e përbashkëta të këtyre vendeve me Shtetet e Bashkuara dhe sakrificat që bënë Gjeorgjia dhe Rumania si pjesë e forcave të koalicionit që luftonin në Irak dhe Afganistan; si dhe përsëriti mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të këtyre tre vendeve që vazhdojnë të përballen me presionin e aktiviteteve keqdashëse të qeverisë ruse.
"Është e qartë se rajoni është i ekspozuar ndaj agresionit rus, dhe kemi parë prova të aktivitetit të e vazhdueshëm në Ukrainën lindore, pushtimin e pjesëve të Gjeorgjisë, militarizimin e Detit të Zi dhe veprimet provokative në ajër dhe në det", tha Sekretari Austin. "Aktivitetet destabilizuese të Rusisë... reflektojnë ambiciet e saj për të rifituar një pozicion dominues në rajon dhe për të parandaluar një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe".
Sekretari Austin u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara "vlerësojnë partneritetin dhe bashkëpunimin e jashtëzakonshëm që na japin partnerët" në rajon, dhe vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ofrojnë asistencë për të forcuar kapacitetet detare të Gjeorgjisë, Ukrainës, Rumanisë, si dhe Bullgarisë, në mbështetje të përpjekjeve për t'i paraprirë dhe për t'u mbrojtur nga aktivitetet keqdashëse të Rusisë.
Vizita e Sekretarit Austin në këto tre vende gjithashtu theksoi interesimin e NATO-s për sigurinë e Detit të Zi, për Rumaninë si një vend aleat në NATO, si dhe Ukrainën dhe Gjeorgjinë si vende partnere që aspirojnë të anëtarësohen në NATO.
Sekretari i Mbrojtjes e quajti Rumaninë "një shembull të rëndësishëm të angazhimit të aleatëve për përgjegjësi të përbashkëta, modernizimin e mbrojtjes, dhe kontributin për misionet e NATO-s në Evropë dhe më gjerë". Ai vlerësoi gjithashtu Rumaninë për faktin se është një nga të paktët aleatë në NATO që mirëpret një numër të konsiderueshëm të forcave amerikane.
Në Gjeorgji dhe Ukrainë, Sekretari Austin e bëri të qartë se forcimi i institucioneve demokratike është gjithashtu një mbrojtje kundër korrupsionit dhe agresionit, dhe ai inkurajoi të dyja qeveritë të ndjekin reformat që do të çojnë përpara aspiratat e tyre euro-atlantike.
“Siguria dhe stabiliteti i Detit të Zi janë në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara dhe janë shumë të rëndësishme për sigurinë e krahut lindor të NATO-s”, tha Sekretari Austin. “Ne do të qëndrojmë të fokusuar në të dhe do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë në rajon.”
*Editoriali pasqyron pikëpamjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara.