Nuk mund të ketë armëpushim pa lirimin e pengjeve

(FILE) A woman makes her way past images of those taken hostage or killed during the deadly October 7 attack in Tel Aviv, Israel September 16, 2024.

“Nuk është Izraeli që po pengon një armëpushim dhe marrëveshje pengjesh. Është Hamasi”, theksoi një nga diplomatët amerikan në OKB, Robert Wood.

Shtetet e Bashkuara e kanë bërë vazhdimisht të qartë se nuk do të mbështesin një armëpushim pa kushte në luftën midis Izraelit dhe Hamasit që nuk përfshin lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi. “Këto dy synime urgjente janë të lidhura në mënyrë të pandashme”, tha ambasadori Robert Wood, Përfaqësues i Shteteve të Bashkuara për Çështjet e Posaçme Politike në Kombet e Bashkuara:

“Hamasi ende mban peng shtatë shtetas amerikanë. Nuk do t'i harrojmë. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë një zgjidhje diplomatike që sjell paqe, siguri dhe liri për palestinezët në Gazë. Shtetet e Bashkuara, së bashku me partnerët në rajon, kanë punuar pa ndërprerë për të arritur një marrëveshje të tillë. Ne nuk ende nuk e kemi arritur atë. Pse? Sepse Hamasi ka refuzuar marrëveshje pas marrëveshjeje”.

“Nuk është Izraeli që po pengon një armëpushim dhe marrëveshje pengjesh. Është Hamasi”, theksoi ambasadori Wood.

Izraeli ka thënë se është i gatshëm të pranojë një armëpushim të përkohshëm në këmbim të lirimit të disa pengjeve dhe më pas të vazhdohen përpjekjet, me atë marrëveshje si bazë, për të kthyer çdo individë të marrë peng në shtëpi.

Çdo rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së duhet të dënojë Hamasin për sulmin e tij terrorist të 7 tetorit, tha ambasadori Wood:

“Është e pashpjegueshme që mbi 13 muaj nga ajo ditë, disa anëtarëve të Këshillit të Sigurimit u mungon vetëdijësimi duke refuzuar të pranojnë se është Hamasi ai që e nxiti këtë konflikt. Është Hamasi ai që ka vënë në rrezik miliona civilë palestinezë dhe e ka dërguar rajonin pranë një lufte më të gjerë.”

Diplomacia amerikane do të vazhdojë të bëjë trysni për më shumë ndihma për të gjithë Gazën, gjë që kërkon hapa të menjëhershëm për të përmirësuar kushtet në terren.

Shtetet e Bashkuara “kanë mbajtur një qëndrim shumë të qartë që nga fillimi i kësaj lufte, Izraeli ka të drejtë të mbrohet pas masakrës më të madhe ndaj hebrenjve që nga Holokausti”, përsëriti ambasadori Wood.

Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara kanë bërë më shumë se çdo vend tjetër për të përmirësuar kushtet humanitare në Gazë.

“Është jetike që ne ta përfundojmë këtë luftë në atë mënyrë që përcakton rrugën përpara për periudhën e pas-konfliktit duke siguruar qeverisje, siguri dhe rindërtim në Gazë dhe rikthen dinjitetin për civilët e kapur në mes të një lufte që ata nuk e donin”, tha ambasadori Wood.

Të punojmë për t’i dhënë fund vuajtjeve dhe mjerimit të viktimave të shumta të Hamasit që nga 7 tetori.”