Dy hapa për përfundimin e luftës në Ukrainë

(FILE) Firefighters work at a site of a Russian drone strike, amid Russia's attack on Ukraine, in Izmail, Ukraine September 27, 2024.

"Një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme duhet të afirmojë parimet e sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë. Një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme duhet të ruajë të drejtën e Ukrainës për të zgjedhur rrugën e saj, aleatët e saj, të ardhmen e saj", tha Sekretari Blinken.

Vladimir Putini “do të vazhdojë luftën e tij të padrejtë” kundër Ukrainës, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken në një takim të fundit ministror të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Ukrainën. Megjithatë, për t'i dhënë fund luftës, janë dy hapa të menjëhershëm dhe të ndërlidhur që duhet të ndërmarrë komuniteti ndërkombëtar.

"Së pari, ne duhet të trajtojmë bashkëpunimin në rritje të Rusisë me Korenë e Veriut dhe Iranin", tha ai.

“Irani ka furnizuar Kremlinin me dronë që nga viti 2022. Irani ndërtoi një fabrikë dronësh në Rusi. Vetëm disa javë më parë, Teherani transferoi qindra raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në Rusi dhe ka trajnuar personelin ushtarak rus në Iran për operimin e këtyre armëve.

“Ndërkohë, Koreja e Veriut ka dërguar në Rusi armë dhe municione, duke përfshirë raketa balistike, predha artilerie, me trena.”

Hapi i dytë, tha Sekretari Blinken, është të gjendet një mënyrë për të zgjidhur konfliktin në mënyrë paqësore. "Të gjithë ne këtu kemi një përgjegjësi për të mbështetur thirrjen e Ukrainës për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme."

"Një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme duhet të afirmojë parimet e sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë. Një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme duhet të ruajë të drejtën e Ukrainës për të zgjedhur rrugën e saj, aleatët e saj, të ardhmen e saj. Një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme kërkon pjesëmarrjen e plotë të Ukrainës - dhe pëlqimin. Një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme duhet të mbështesë rindërtimin dhe rimëkëmbjen e Ukrainës, me Rusinë që do të paguajë për të rregulluar dëmin e shkaktuar.”

"Një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme duhet të shqyrtojë si përgjegjësinë ashtu edhe nevojën për pajtim."

"Një nga përgjegjësitë kryesore të Këshillit të Sigurimit të OKB-së është të kërkojë zgjidhjen paqësore të konflikteve", tha Sekretari Blinken. "Por ka rëndësi edhe mënyra se si Këshilli i Sigurimit përpiqet t'i japë fund këtij konflikti."

“Vendet e tjera kanë paraqitur propozimet e tyre, disa prej të cilave nuk arrijnë të bëjnë dallimin mes agresorit dhe viktimës dhe u bëjnë thirrje të gjitha palëve që të ulin tensionet”, tha ai.

“Një propozim i tillë do të shpërblente agresionin e Putinit, do ta lejonte atë të sulmonte sërish Ukrainën, siç ka bërë në të kaluarën. Ai gjithashtu do të inkurajonte agresorët e mundshëm kudo në botë.”

“Siç na ka mësuar historia, paqja pa parim është prolog për më shumë konflikte, për më shumë vuajtje, për më shumë paqëndrueshmëri”, tha Sekretari Blinken.

"Pra, për të gjitha vendet që duan që ky konflikt të përfundojë, rruga më e shpejtë përpara është e thjeshtë: frenoni ata që po mundësojnë dhe nxisin agresionin e Putinit dhe kërkoni një paqe të drejtë, që respekton parimet e Kartës së OKB-së.”