SHBA dhe Meksika ndajnë shumë përparësi

(FILE) State Secretary Antony Blinken and Mexican Foreign Secretary Alicia Barcena.

Shtetet e Bashkuara dhe Meksika kanë vënë në shënjestër goditjen e krimit të organizuar dhe trafikantët e drogës, duke punuar në parandalimin dhe trajtimin e varësisë nga droga.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u takua kohët e fundit me kryediplomaten e Meksikës Alicia Barcena. Në krye të axhendës ishte plaga e shkaktuar nga përdorimi i drogave sintetike.

“Këtu në Shtetet e Bashkuara”, tha Sekretari Blinken, “fentanili, një opioid sintetik, është shkaktari numër një i vdekjeve mes moshave 18 dhe 49 vjeçare”.

“Për këtë arsye, kjo qëndron në krye të listës së përparësive tona. Ka ndikuar mjaft rëndë dhe kostoja e përballjes me këtë epidemi kushton rreth 1.5 trilion dollarë në vit”.

Gjatë viteve të fundit Presidenti i Meksikës Lopez Obrador dhe Presidenti Joe Biden kanë punuar së bashku për të ndërprerë zinxhirët e furnizimit dhe për të frenuar prodhimin dhe shpërndarjen e lëndëve përbërëse të opioideve, shumë prej të cilave janë të ligjshme.

Të dy vendet kanë vënë në shënjestër krimin e organizuar dhe trafikantët e drogës dhe kanë punuar në parandalimin dhe trajtimin e varësisë nga droga.

Përveç kësaj, Meksika i është bashkuar Koalicionit Global për të trajtuar kërcënimet nga droga sintetike. Veprim i vlerësuar nga Sekretari Blinken:

“Është një organizatë me rreth 85 vende që bashkëpunojnë në të gjitha aspektet e problemit të opioideve sintetike, për të ushtruar një kontroll më të fortë mbi të dhe për ta trajtuar atë në mënyrë më efektive”, tha zoti Blinken.

Një tjetër temë diskutimi ishte migrimi i parregullt. Në mbarë botën po vihet re një nivel historik migrimi, me më shumë se njëqind milionë njerëz që largohen nga vendet e tyre - 20 milionë vetëm në hemisferën perëndimore.

“Pra, ajo që ne kemi vendosur të bëjmë është që të punojmë si një rajon për ta bërë migrimin më të sigurt, më të rregullt dhe më human”, tha Sekretari Blinken.

“Një nga gjërat që ne kemi bërë në përgjigje të sfidës, është zgjerimi i mundësive ligjore. Disa nga gjërat që kemi bërë kanë treguar rezultate shumë të qarta, përfshirë programin e lirimit me kusht për shtetas të vendeve si Haiti, Kuba, Venezuela dhe Nikaragua. Kemi vënë re ulje të ndjeshme të migrantëve që kërkojnë azil në kufirin tonë si rezultat i krijimit të një mundësie ligjore”.

Siç vuri në dukje Sekretari Blinken, “Unë nuk mendoj se kemi patur ndonjëherë partneritet dhe bashkëpunim më të fortë midis Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara”.