Shtetet e Bashkuara mbrojnë ushtarët dhe interesat përballë grupeve të mbështetura nga Irani

Luftëanije amerikane

Shtetet e Bashkuara kanë filluar të kundërpërgjigjen për vrasjen e tre ushtarëve amerikanë në fund të janarit në Jordani nga militantët e mbështetur nga Irani.

Shtetet e Bashkuara kanë filluar të kundërpërgjigjen për vrasjen e tre ushtarëve amerikanë në fund të janarit në Jordani nga militantët e mbështetur nga Irani. Forcat amerikane janë vendosur në rajon si pjesë e një koalicioni të përkushtuar për të mposhtur grupin “Shteti Islamik”. Më 2 shkurt, Shtetet e Bashkuara kryen sulme ajrore ndaj 85 objektivave në Irak dhe Siri që janë shfrytëzuar nga Garda Revolucionare Islamike e Iranit dhe grupet e lidhura me të për të sulmuar forcat amerikane.

“Ky është fillimi i kundërpërgjigjes tonë,” tha Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin përmes një deklarate. “Presidenti ka urdhëruar veprime shtesë për t’i mbajtur përgjegjës Gardën Revolucionare Islamike të Iranit dhe grupet militante të lidhura me të për sulmet e tyre ndaj forcave amerikane dhe atyre të koalicionit.”

Në një konferencë për shtypin, zëdhënësi i Pentagonit, Gjenerali Pat Ryder përshkroi objektet e shfrytëzuara nga Garda Revolucionare Islamike e Iranit dhe grupet militante të lidhura me të që janë vënë në shënjestër të sulmeve amerikane:

“Qendra operacionale të komandës dhe kontrollit, qendra të zbulimit, raketa, predha, mjete ajrore të komanduara nga distanca, depo, objekte për logjistikë, armatim dhe furnizim… Qëllimi ynë është të sulmojmë kapacitetet që janë shfrytëzuar nga këto grupe.”

Në një veprim tjetër vetëmbrojtës kundër rrjeteve të mbështetur nga Irani, më 3 shkurt, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, me mbështetjen e një koalicioni aleatësh, ndërmorën një mori sulmesh tjera proporcionale ndaj objektivave të rebelëve Houthi në Jemen. Ky veprim vetëmbrojtës, që shënon herën e tretë që koalicioni godet objektiva brenda Jemenit, është kundërpërgjigje ndaj sulmeve të rebelëve Houthi ndaj anijeve ndërkombëtare të mallrave dhe atyre të flotës amerikane në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit. Shtetet e Bashkuara gjithashtu ndërmorën veprime vetëmbrojtëse për të shkatërruar raketa-hedhësit dhe dronët e përgatitur për përdorim nga rebelët Houthi. “Qëllimi këtu,” tha Gjeneral-majori Ryder “është të pengojmë dhe të zvogëlojmë aftësinë e tyre për të kryer sulme të tilla.”

“Do të vazhdojmë t’iu bëjmë thirrje që të ndalojnë menjëherë, por nëse nuk ndalojnë, do të vazhdojmë të ndërmarrim veprimet e duhura, jo vetëm të mbrojmë qarkullimin ndërkombëtar të mallrave dhe anijeve që lundrojnë nëpër Detin e Kuq, por do të vazhdojmë të zvogëlojmë dhe të pengojmë aftësitë e tyre.”

Gjeneral-majori Ryder theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk duan ta përshkallëzojnë konfliktin në Lindje të Mesme. Shtetet e Bashkuara, tha ai, përsërisin thirrjet e tyre ndaj Iranit për të ndërprerë përkrahjen e veprimeve destabilizuese të aleatëve të tij. Dhe, paralajmëroi Gjeneral-majori Ryder, “Do të vazhdojmë të ndërmarrim veprime të duhura për të mbrojtur forcat tona.”