Ndihma amerikane për tërmetin në Turqi dhe Siri

People gather boxes on the remains of a destroyed building in the aftermath of a deadly earthquake in Turkey.

"Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar të prekurit nga këto tërmete në ditët, javët dhe muajt në vijim", tha Sekretari Blinken.

Më shumë se 40 mijë njerëz janë vrarë dhe dhjetëra mijëra të tjerë janë plagosur pas një tërmeti 7.8 ballësh që goditi Turqinë dhe Sirinë më 6 shkurt. Tërmeti goditi herët në mëngjes, kur shumë njerëz ishin ende duke fjetur, duke i bërë ata të bllokoheshin nën rrënojat e shtëpive të tyre.

Ekipet e kërkim-shpëtimit po punojnë me intensitet të lartë për të ndihmuar të mbijetuarit ndërsa organizatat humanitare po paralajmërojnë se bora dhe temperaturat e ulëta, si dhe mungesa e ujit, komunikimit dhe energjisë, mund të ngadalësojnë përpjekjet e tyre. Sipas shifrave të publikuara nga qeveria turke, organizata Helmetat e Bardha dhe mediat, mbi 70 mijë njerëz janë plagosur nga tërmeti në Siri dhe Turqi. Duke folur në një konferencë për shtyp në Osmaniye të Turqisë, presidenti Rexhep Erdogan tha se 6444 ndërtesa janë shembur nga tërmeti. Ekipet e kërkim-shpëtimit nga vende të ndryshme janë dislokuar në Turqi duke ndihmuar personelin lokal në përpjekjet e kërkim-shpëtimit dhe rimëkëmbjes.

Dërgimi i ndihmës në Siri është më sfidues për shkak të kufizimeve të regjimit sirian mbi lëvizjen e ndihmave në vend. Një vendkalim kufitar që OKB-ja lejohet ta përdorë për të dërguar ndihma nga Turqia në Sirinë veriperëndimore u mbyll përkohësisht pas tërmetit, duke penguar përpjekjet humanitare. Më 9 shkurt, një kolonë automjetesh me ndihma të OKB-së më në fund arriti të kalonte nga Turqia në Sirinë veriperëndimore për herë të parë që nga goditja e tërmetit.

Në një konferencë të fundit për shtyp, Sekretari i Shtetit Antony Blinken shprehu ngushëllimet e tij për numrin "vërtetë tronditës" të të vrarëve në Turqi dhe Siri.

“Ne, mendoj se së bashku me njerëzit në mbarë botën, jemi të pikëlluar për ata që kanë humbur jetën dhe dërgojmë mesazhet tona të ngushëllimit për të dashurit e viktimave”, tha ai.

“Deri më tani, ne kemi dislokuar një ekip kërkim-shpëtimi me mbi 150 anëtarë në Turqi. Ne kemi dërguar helikopterë amerikanë që po ndihmojnë njerëzit në zonat, ku është e vështirë të dërgohen ndihma me mjete të tjera. Në Siri, ne po punojmë më organizata jo-qeveritare partnere si Helmetat e Bardha, që i kemi financuar prej vitesh, të cilat kanë ofruar ndihmë për shpëtimin e njerëzve të ndikuar nga tërmeti. Në të dy vendet, ne kemi dislokuar menaxherë të urgjencës me përvojë, ekspertë të materialeve të rrezikshme, inxhinierë, ekspertë të logjistikës, infermierë, ekspertë të tjerë dhe pajisje të specializuara që peshojnë rreth tetë mijë kilogramë”, tha Sekretari Blinken për ndihmën që Shtetet e Bashkuara janë duke dhënë në Siri dhe Turqi.

"Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar të prekurit nga këto tërmete në ditët, javët dhe muajt në vijim", tha Sekretari Blinken.