Nënsekretarja Jenkins, gjatë një interviste të fundit dha më shumë hollësi mbi angazhimin e Departamentit të Shtetit për të avancuar përpjekjet globale të çarmatimit bërthamor.
Procesi i çarmatimit bërthamor nuk ka të bëjë vetëm me çarmatimin, tha Nënsekretarja Jenkins.
“Çarmatimi bërthamor është një çështje shumë me gjerë se sa mendohet nga shumica e njerëzve. Ata mendojnë se kjo përpjekje është e përqendruar vetëm tek armët bërthamore, që është një pjesë e rëndësishme, por kjo ka të bëjë edhe me frenimin e përhapjes së armëve bërthamore në vendet që nuk i zotërojnë ato. Një aspekt tjetër i kësaj përpjekjeje është edhe parandalimi i trafikimit të materialeve bërthamore nga aktorë jo-shtetëror. Pra, ne duhet të jemi të shqetësuar edhe për individët, jo vetëm shtetet”, tha ajo.
Në qendër të përpjekjeve për çarmatimin bërthamor është Traktati Kundër Përhapjes së Armëve Bërthamore, një marrëveshje e rëndësishme, e nënshkruar nga mbi 180 vendeve, që është një dëshmi e fortë e bashkëpunimit ndërkombëtar që ka për qëllim parandalimin e përhapjes së armëve bërthamore.
Përveç kësaj, Departamenti i Shtetit është i angazhuar edhe në ndërtimin e kapaciteteve për parandalimin e përhapjes së materialeve bërthamore.
“Përmes bashkëpunimit me vendet e tjera, kjo përfshin aktivitetet si ndërtimi i kapaciteteve të tyre për të parandaluar trafikimin e materialeve bërthamore dhe rënien e tyre në duart e vendeve që po përpiqen të prodhojnë armë bërthamore”, tha zonja Jenkins.
Shtetet e Bashkuara përdorin edhe sanksionet dhe kontrollin mbi eksportet ndaj vendeve, që po përpiqen të krijojnë programe të prodhimit të armëve bërthamore.
Parnteritetet ndërkombëtare si ato me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në Vjenë dhe Komisionin e OKB-së mbi Çarmatimin, janë thelbësore në përpjekjet globale të çarmatimit bërthamor.
“Ne kemi takime të rregullta dypalëshe me organizatat ndërkombëtare si Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike dhe Komisioni i OKB-së për Çarmatimin, si dhe me zyrtarë të qeverive të vendeve të tjera, të ngarkuar me çështjet e çarmatimit bërthamor”, tha Nënsekretarja e Departamentit të Shtetit për Kontrollin e Armëve dhe Sigurinë Ndërkombëtare, Bonnie Jenkins.
Bashkëpunimi, diplomacia dhe marrëveshjet ndërkombëtare mbeten faktorë të rëndësishëm në përpjekjet globale për paqe dhe siguri.
Departamenti i Shtetit është i angazhuar në ndërtimin e kapaciteteve për parandalimin e përhapjes së materialeve bërthamore, thotë Nënsekretarja e Departamentit të Shtetit për Çështjet e Kontrollit të Armëve dhe Sigurinë Ndërkombëtare, Bonnie Jenkins.