Ky muaj shënon 25 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Vietnamit.
“Ishte një hap historik, një hap që kërkonte që ne fillimisht të përballeshim me trashëgiminë e errët të luftës mes dy vendeve tona”, tha Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo.
“Në vitet 1980, Shtetet e Bashkuara dhe Vietnami punuan për të kapërcyer rrënimin e luftës përmes riatdhesimit të eshtrave të ushtarëve amerikanë në Vietnam. Kjo i përmirësoi raportet dhe solli rivendosjen e marrëdhënieve në vitin 1995”, tha ai.
“Që atëherë, shtoi Sekretari Pompeo, ne kemi ndërtuar një miqësi bazuar tek interesat e përbashkëta, respekti reciprok dhe vendosmëria për të lënë pas të kaluarën dhe për të parë nga e ardhmja”.
Shtetet e Bashkuara kanë kontribuar në mënyrë të konsiderueshme tek rritja ekonomike e Vietnamit. Gjatë dy dekadave të fundit, tregëtia dypalëshe është shumëfishuar 7, 000 për qind. Kompanitë amerikane po ndihmojnë duke investuar miliarda dollarë në vend.
Vietnami është tani një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Azinë Juglindore, duke nxjerrë miliona vetë nga varfëria. Shtetet e Bashkuara dhe Vietnami kanë thelluar gjithashtu edhe marrëdhëniet mes popujve, përfshirë në fushën e arsimit.
Afro 30,000 të rinj vietnamezë studiojnë aktualisht në universitetet e Shteteve të Bashkuara. Ndërsa në të kaluarën, Shtetet e Bashkuara dhe Vietnami ishin kundërshtarë në sheshin e luftës, sot “marrëdhëniet tona të sigurisë, janë të përqendruara tek bashkëpunimi”, tha Sekretari Pompeo.
Së fundmi, USS Theodore Roosevelt vizitoi Da Nangun, e dyta aeroplanmbajtëse që vizitoi Vietnamin që nga fundi i luftës. Dhe me heqjen e embargos së armëve amerikane para katër vjetësh, ushtritë amerikane dhe vietnameze po shohin mënyra për të rritur bashkëpunimin e sigurisë.
Sekretari Pompeo vuri në dukje se “ka ende sfida në marrëdhëniet tona”. Por aftësia për “të pasur diskutime të sinqerta kur nuk biem dakord, konfirmon potencialin tonë si partnerë”.
“Në vitet në vazhdim, Shtetet e Bashkuara dhe Vietnami duhet të përqendrohen tek e ardhmja, duke e konsoliduar bashkëpunimin tonë në fusha nga siguria kibernetike, tek arsimi, tek energjia, tek mbrojtja”, theksoi sekretari Pompeo.
“Ndërsa shënojmë 25 vjetorin e partneritetit në vitin 2020, tha sekretari Pompeo, le ta ripërtërijmë angazhimin tonë për një Vietnam të fortë dhe të pavarur dhe një rajon paqësor dhe të begatë të Indo-Paqësorit”.