Accessibility links

Breaking News

Kina nuk e kalon testin e besueshmërisë 


Komenti pasqyron pikëpamjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës 

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo shprehu keqardhje për arrestimin nga autoritetet e Partisë Komuniste Kineze të studiuesit juridik kinez Xu Zhangrun, i cili njoftohet se u mor nga shtëpia e tij më 6 korrik.

"Ne u shqetësuam thellësisht kur mësuam se Partia Komuniste Kineze arrestoi zotin Xu Zhangrun për shkak të kritikave që i ka bërë regjimit shtypës të Sekretarit Xi Jinping dhe menaxhimin e keq të pandemisë së Covid-19 nga Partia Komuniste Kineze. Ai duhet të lirohet. Ai thjesht po thoshte të vërtetën”.

Por Partia Komuniste Kineze refuzon ta pranojë të vërtetën.

Sekretari Pompeo tha se autoritetet e Republikës Popullore të Kinës nuk treguan të vërtetën në lidhje me virusin Covid-19, "dhe tani qindra mijëra njerëz në të gjithë botën kanë vdekur."

“Ne kemi nevojë për të vërtetën. Kjo ka të bëjë me shkencën, jo politikën dhe Partia Komuniste Kineze duhet ta thotë të vërtetën para botës për këtë virus."

Sekretari Pompeo theksoi se bota ende nuk e njeh identitetin e pacientit zero, njeriut të parë të infektuar me virusin Covid-19. Dhe ndërsa Pekini tha se Organizata Botërore e Shëndetësisë mund të vijë në Kinë për të hetuar origjinën e pandemisë, Sekretari Pompeo deklaroi, "Ne duhet të sigurohemi që njerëzit e duhur dërgohen atje për këtë hetim, dhe ne kemi nevojë për përgjigje të vërteta dhe jo për një zgjidhje politike sipërfaqësore."

Ai vuri në dukje gjithashtu se Pekini pretendoi për shumë muaj se raportoi shpërthimin e virusit tek OBSH-ja.

"Tani ne e dimë që edhe kjo nuk është e vërtetë. Ne e dimë që Zyra e OBSH-së në Kinë raportoi për shpërthimin e virusit, vetëm pasi ajo mori një deklaratë për mediat nga Komisioni Shëndetësor i Komunës së Wuhanit."

Mungesa e besueshmërisë së Pekinit në lidhje me virusin Covid-19 ka ndihmuar botën që të shoh fytyrën e vërtetë të Partisë Komuniste Kineze, tha Sekretari Pompeo.

Dhe mashtrimi i Partisë Komuniste Kineze është manifestuar në shumë fusha: për shembull, vuri në dukje ai, në përshkrimin e saj absurd të kampeve të tmerrshme të internimit në Xinjiang si "kampe të formimit profesional", si dhe në zbatimin e një "ligji të ashpër të sigurisë kombëtare" në mënyrë drastike që minon në mënyrë dramatike sundimin e ligjit në Hong Kong, megjithë sigurimet e Pekinit në Deklaratën e Përbashkët Sino-Britanike të paraqitur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara se Hong Kongut do t'i jepej "një shkallë e lartë e autonomisë" dhe liritë civile të banorëve të tij do të mbeteshin të paprekura.

Sekretari i Shtetit Pompeo tha se ai është i bindur "më shumë se kurrë" se popujt e lirë të botës që e duan demokracinë do ta kuptojnë ndikimin e rrezikshëm të Partisë Komuniste të Kinës si brenda ashtu dhe jashtë Republikës Popullore të Kinës, dhe do të mblidhen së bashku në mbrojtje të vendeve sovrane që funksionojnë bazar në sundimin e ligjit për të mirën e njerëzve kudo.

XS
SM
MD
LG