Accessibility links

Breaking News

25 vjetori i masakrës së Srebrenicës


Komenti pasqyron pikëpamjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Në mes të korrikut të vitit 1995, serbët e Bosnjës pushtuan një "zonë të sigurt" të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Bosnje dhe Hercegovinë dhe kryen krimin më të rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore: vrasjen e më shumë se 8000 burrave dhe djemve myslimanë të Bosnjës. Në korrik u shënua 25 vjetori i gjenocidit në Srebrenicë.

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë në fillimin e viteve 1990, nacionalizmi nxiti tensione dhe armiqësi midis grupeve etnike që përbënin këtë vend, duke kulmuar në Luftërat Jugosllave, së pari në Kroaci dhe Slloveni, dhe më pas në Bosnje-Hercegovinën shumetnike.

Në fillim të luftës, popullsia e pjesës lindore të Bosnje-Hercegovinës ishte kryesisht boshnjake, një grup etnik me shumicë myslimane. Për më shumë se tre vjet, popullsia boshnjake atje u terrorizua nga nacionalistët serbë të Bosnjës, mijëra njerëz u vranë dhe qindra shtëpi u shkatërruan.

Më 11 korrik të vitit 1995, njësitë e ushtrisë së Republikës Serbe të Bosnjes, nën komandën e gjeneralit Ratko Mladiç, hynë me forcë në enklavën e rrethuar të Srebrenicës, e cila ishte shpallur "zonë e sigurtë" dy vjet më parë, dhe mbrohej nga trupat paqëruajtëse të Kombeve të Bashkuara.

Në qytet ishin mbledhur dhjetëra mijëra refugjatë nga fshatrat përreth, të cilët shkuan atje për të gjetur strehim. Trupat serbe rrethuan popullsinë, ndanë gratë dhe fëmijët më të vegjël dhe pastaj vranë sistematikisht të gjithë meshkujt mbi moshën 15 vjeç. Mes 11 dhe 25 korrikut, ata masakruan afër 8372 burra dhe djem të paarmatosur, thjesht sepse ata ishin boshnjakë.

Konventa e gjenocidit e Kombeve të Bashkuara e miratuar në vitin 1948 e përkufizon gjenocidin si "veprime të kryera me qëllim të shkatërrimit, tërësisht ose pjesërisht, të një grupi kombëtar, etnik, racor ose fetar". Dhe kjo është ajo që ndodhi në Srebrenicë, sipas një raporti të lëshuar në vitin 2004 nga Komisioni për Hetimin e Ngjarjeve në Srebrenicë.

Përgjegjësit kryesorë për masakrën e Srebrenicës ishin ish-presidenti serb i Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe komandanti i tij ushtarak Ratko Mladiç. Të dy në fund u kapën dhe u gjykuan përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve për ish-Jugosllavinë, ku u shpallën fajtorë për kryerjen e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit.

Njëzet e pesë vjet pas mizorive në Srebrenicë, ne i ngushëllojmë thellësisht familjet e viktimave të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Është një kohë për të reflektuar mbi tragjedinë e tmerrshme të

Srebrenicës dhe për të ritheksuar angazhimin për sjelljen para drejtësisë të atyre që janë përgjegjës për krimet kundër njerëzimit kudo në botë.

25-vjetori i gjenocidit të Srebrenicës gjithashtu na kujton rëndësinë e paqes në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe kjo ofron një mundësi për udhëheqësit e saj që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për ndërtimin e besimit të qëndrueshëm, respektit reciprok dhe pajtimit. Kjo është thelbësore për të garantuar se një tragjedi si Srebrenica nuk do të përsëritet kurrë dhe që Bosnje-Hercegovina do të avancojë drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe më të begatë për të gjithë qytetarët e saj.

XS
SM
MD
LG