Accessibility links

Breaking News

Zgjedhjet jo të ndershme presidenciale në Bjellorusi 


Belarus protests
Belarus protests

Komenti pasqyron pikëpamjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës 

Presidenti i Bjellorusisë Alexander Lukashenko, i cili mban postin më të lartë të zgjedhur në vend që nga viti 1994, shpalli edhe një tjetër fitore madhore në zgjedhjet presidenciale që u zhvilluan në 9 gusht.

Pretendimi i tij për një fitore me 80 përqind të votave është kontestuar nga qindra mijëra qytetarë bjellorusë, shumë prej të cilëve dolën në protesta në rrugë duke thënë se rezultatet ishin falsifikuar.

Forcat qeveritare u përgjigjën me shpejtësi dhe brutalitet ndaj protestave, duke rrahur, arrestuar dhe ndaluar me mijëra protestues, gazetarë dhe anëtarë të opozitës. Të paktën katër protestues u vranë.

Pas zgjedhjeve, dy nga udhëheqësit e opozitës në Bjellorusi u larguan nga vendi, përfshirë edhe kandidaten kryesore të opozitës Sviatlana Tsikhanouskayan, e cila kandidoi për presidencën pasi bashkëshorti i saj Sergei, një komentues politik, u burgos dhe u ndalua nga kandidimi në zgjedhjet presidenciale.

Protestat vazhdojnë në shumë qytete të Bjellorusisë. Mbi 100 mijë protestues u mblodhën në Minsk në 16 gusht, një pjesëmarrje e e paparë ndonjëherë në Bjellorusi. Një numër i protestuesve janë pjesë e fushatës "Gratë me të Bardha", të cilat kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër goditjes së dhunshme dhe për të bërë thirrje për lirimin e njerëzve të tyre të dashur të ndaluar nga policia.

Gratë, të veshura me të bardha dhe shpesh duke mbajtur lule, filluan të shfaqen javën e kaluar në Minsk, por protesta të ngjashme kanë ndodhur edhe në Gjermani, Poloni, Belgjikë, Ukrainë dhe Rusi.

Është e qartë nga reagimi i popullit bjellorus ndaj zgjedhjeve të kontestuara, se ata janë të etur për diçka që Aleksandër Lukashenko nuk ua ka lejuar gjatë dy dekadave e gjysmë që ai ka mbajtur pushtetin. Komuniteti ndërkombëtar ka dëgjuar thirrjen e popullit bjellorus dhe qëndron me ta në aspiratat e tyre demokratike.

Shtetet e Bashkuara, si dhe udhëheqësit evropianë, kanë shprehur shqetësim të thellë për zhvillimin e zgjedhjeve në Bjellorusi, duke theksuar se nuk ishin as të lira dhe as të ndershme, si dhe për reagimin e dhunshëm të qeverisë ndaj protestave që pasuan, për sulmet me objektiv të dukshëm gazetarët, për abuzimet e rënda ndaj të ndaluarve dhe ndërprerjen e internetit.

Gjatë vizitës së tij të fundit në Poloni, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se, "Objektivi i përbashkët është të mbështesim popullin bjellorus në arritjen e sovranitetit të tij, lirisë së tyre, për të ndërtuar mbi atë që po shihni të ndodhë në këto protesta. Këta njerëz po kërkojnë gjërat e thjeshta që i dëshiron çdo qenie njerëzore: të drejtën për të marrë vetë vendime për natyrën e qeverisjes së tyre. Dhe kështu pra, ne i bëjmë thirrje udhëheqjes së Bjellorusisë që ta zgjerojë rrethin, të angazhohet me shoqërinë civile në një mënyrë që pasqyron mirëkuptimet qendrore që po kërkon populli bjellorus".

XS
SM
MD
LG