Gjatë disa viteve të fundit në veçanti, qeveria ruse është përpjekur të minojë unitetin transatlantik dhe të dobësojë institucionet demokratike, në përpjekje për t'i bërë fqinjët e saj më të varur.
Kjo është arsyeja pse verën e kaluar, USAID filloi programin e Kundërvënies ndaj Ndikimit Keqdashës të Kremlinit, ose CMKI. USAID po pengon përpjekjet e Kremlinit për të minuar demokracinë dhe vetëbesimin e Evropës dhe Euroazisë, duke nxitur qëndrueshmërinë ekonomike dhe demokratike të vendeve partnere.
Në të vërtetë, CMKI "nuk ka të bëjë me Rusinë dhe as me popullin rus", tha ndihmësi i administratorit të USAID për Evropën dhe Euroazinë, Brock Bierman:
"Ai është krijuar për t'i ndihmuar vendet të marrin vetë vendime, t'i bëjë ata të mbështeten më shumë te vetja, t'i bëjë më të pavarur, t'i lejojë të vendosin."
CMKI është përqendruar në katër fusha specifike, tha zoti Bierman:
"Së pari dhe më e rëndësishmja, tek demokracia dhe qeverisja, që në thelb është një përpjekje për të ndihmuar në ndërtimin e demokracive në të gjitha vendet tona, duke i lejuar njerëzit të vendosin rrugën që do të ndjekin për qeverinë e tyre, duke garantuar zgjedhjen e njerëzve që ata duan që t'i përfaqësojnë në qeveri. Së dyti, ne jemi duke punuar në luftën kundër dezinformimit dhe për median e pavarur. Është e rëndësishme që njerëzit të kenë media të pavarura nga ku marrin lajmet. Dhe kështu, ne po ndihmojmë në këtë drejtim. Së treti, ne po ndihmojmë në fushën e energjisë, që vendet tona të jenë më të pavarur në këtë fushë.”
Dhe së fundi, bëhet fjalë për ekonominë dhe lejimin e këtyre vendeve të vendosin se ku dëshirojnë t’i përqendrojnë tregtinë dhe partneritetet e tyre.
"Për dallim nga Kremlini," tha Ndihmës Administratori Bierman," ne jemi shumë transparentë".
Nuk janë vetëm Kremlini dhe entitetet e varura prej tij që kërkojnë të krijojnë varësi. Megjithëse përdorin taktika të ndryshme, aktorë të ndryshëm keqdashës po kërkojnë të krijojnë më shumë ndikim në vendet që preken më lehtë. Kjo përfshin Republikën Popullore të Kinës dhe praktikat jotransparente dhe të korruptuara të biznesit të kompanive të saj, tha Ndihmës Administratori Bierman.
"Ne po përpiqemi të sigurohemi që t'i ndihmojmë vendet tona të jenë më në gjendje të mbështeten në forcat e veta. Ata i kuptojnë marrëveshjet në të cilat po hyjnë ose do të hyjnë me Kinën. Çështja është që ata të kuptojnë se teknologjitë që përdorin mund të krijojnë probleme të sigurisë dhe të privatësisë. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për teknologji apo pajisje, ata të kuptojnë saktësisht që kur të nënshkruajnë shifrat e marrëveshjes, cilat do të jenë rezultatet, nëse do ta marrin apo jo atë teknologji apo nëse nuk do të jenë në gjendje ta paguajnë dot kredinë."
Ndihmës administratori Bierman këshillon që çdokush i interesuar të mësojë më shumë rreth CKMI të shkojë në faqen https://www.usaid.gov/ dhe të mësojë më shumë rreth punës së USAID-it.