Më 26 gusht, amerikanët festojnë 100 vjetorin e miratimit të amandamentit të 19-të të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, i cili thotë se "e drejta e qytetarëve të Shteteve të Bashkuara për të votuar nuk do të mohohet ose kufizohet nga Shtetet e Bashkuara ose nga ndonjë Shtet për shkak të gjinisë." Atë ditë, 26 milionë gra amerikane fituan të drejtën për të vendosur përmes votës për të ardhmen e vendit të tyre.
Lëvizja për të drejtën e votimit për gratë nisi aktivitetin zyrtarisht gjatë kuvendit të parë për të drejtat e grave në vitin 1848. Gjatë 70 viteve pasuese, aktivistët dhe aktivistet e të drejtës për të votuar u përpoqën në çdo mënyrë të mundshme për të legalizuar të drejtën e votimit për gratë.
Ata filluan një përpjekje për të miratuar një ndryshim kushtetues që u garantonte grave të drejtën e votimit, që rezultoi të ishte një proces i gjatë dhe i lodhshëm. Ndërkohë, disa gra u përpoqën të votonin në mënyrë të paligjshme dhe ngritën padi kur përpjekjet e tyre për të votuar u refuzuan, duke shpresuar se gjyqtarët do t’i mbështesnin ato.
Kur këto përpjekje dështuan, ato punuan në nivelin e shteteve, ku patën më shumë sukses. Deri në kohën kur u miratua amandamenti i 19-të, mbi gjysma e të gjitha shteteve amerikane, shumica e atyre në pjesën perëndimore të vendit, tashmë u kishin dhënë grave të drejtën e votimit.
Pasi përfundoi rrugën e ngadaltë në Kongres, në qershor të vitit 1919, amandamenti i 19-të më në fund mori votat e nevojshme për t’u dërguar tek 48 shtetet (tani Shtetet e Bashkuara përbehen nga 50 shtete) për miratim përfundimtar. Çdo ndryshim i Kushtetutës duhet të miratohet nga tre të katërtat e shteteve. Tenesi u bë shteti i fundit i nevojshëm për të ratifikuar amendamentin e 19-të, më 18 gusht të vitit 1920.
Në një fjalim të famshëm të vitit 1873, një nga udhëheqëset kryesore të lëvizjes për të drejtën e grave për të votuar, Susan B. Anthony, citoi fjalinë e parë të preambulës së Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara si një justifikim për të drejtat e grave: "Ne, njerëzit e Shteteve të Bashkuara, në mënyrë që të krijojmë një union më të përsosur, të vendosim drejtësinë, të sigurojmë qetësinë e brendshme, të sigurojmë mbrojtjen e përbashkët, të promovojmë mirëqenien e përgjithshme dhe të sigurojmë bekimet e lirisë për veten dhe pasardhësit tanë, të shugurojmë dhe themelojmë këtë kushtetutë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës."
"Ishte ne, njerëzit, jo ne, qytetarët e bardhë burra, por as ne, qytetarët meshkuj; por ne, gjithë populli, që formuam këtë Union", tha ajo. "Dhe ne e formuam atë, jo për t'i dhënë bekimet e lirisë, por për t'i siguruar ato; jo për gjysmën e vetes dhe gjysmën e brezave tanë, por për të gjithë njerëzit, përfshirë gratë dhe burrat."