Accessibility links

Breaking News

75 vjet më parë përfundoi zyrtarisht Lufta e Dytë Botërore


Komenti pasqyron pikëpamjet e qeverisë amerikane

2 shtatori shënon zyrtarisht fundin e Luftës së Dytë Botërore në Paqësor, dhe për rrjedhojë fundin e konfliktit global. Në këtë ditë 75 vjet më parë, dokumentet zyrtare të dorëzimit pa kushte të Japonisë u nënshkruan nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë në bordin e anijes USS Missouri, pasi ajo u ankorua në Gjirin e Tokios.

Me dorëzimin e Gjermanisë më 8 maj, Lufta e Dytë Botërore kishte marrë fund në Evropë. Megjithatë, luftimet zhvilloheshin në Paqësor dhe lufta nuk do të mbaronte derisa Japonia të ulte armët.

Më 26 korrik, dhjetë ditë pasi Shtetet e Bashkuara testuan me sukses bombën atomike, udhëheqësit aleatë lëshuan Deklaratën e Potsdamit, një dokument i cili përshkruan kushtet e dorëzimit për Perandorinë e Japonisë. Nëse Japonia do të refuzonte ofertën, ajo do të "pësonte shkatërrim të shpejtë dhe të plotë". Japonia hodhi poshtë ultimatumin.

Prandaj u bë e nevojshme që Japonia të mposhej në fushën e betejës, qartësisht një detyrë e frikshme. Për më shumë se tre vjet, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në Paqësor u përleshën me Japoninë në disa nga betejat më të mëdha detare në histori. Betejat e ashpra nëpër ishujt e Paqësorit, të cilat më shpesh rezultuan në vetëvrasje masive të ushtarëve japonezë dhe civilëve të mundur, bindën komandën e Shteteve të Bashkuara se një pushtim i Japonisë do të rezultonte në humbje të jashtëzakonshme të jetëve tek të dyja palët.

Prandaj u vendos që lufta duhet të përfundojë me shpejtësi dhe vendosmëri. Pasi hodhën fletushka që paralajmëronin sulme të afërta ajrore dhe i bënë thirrje popullatës civile të evakuohej, Shtetet e Bashkuara lëshuan dy bomba atomike në dy qytete japoneze, tre ditë nga njëra-tjetra. Më në fund, udhëheqja japoneze u bind se lufta ishte e pamundur të fitohej dhe më 14 gusht, Perandori Hirohito njoftoi se Japonia do të dorëzohej.

"Sot armët kanë pushuar", tha Gjenerali Douglas MacArthur, i cili pranoi dorëzimin e Japonisë në emër të Aleatëve, pas ceremonisë në bordin e anijes USS Missouri.

“Një tragjedi e madhe ka marrë fund. Një fitore e madhe është fituar. Qielli nuk loton më nga vdekjet - detet përdoren vetëm për tregti - burrat kudo ecin kokëlartë në dritën e diellit. E gjithë bota është e qetë në paqe. Misioni i shenjtë ka përfunduar… "

“Në pellgun e Paqësorit ka ardhur prespektiva e një bote të re të emancipuar. Sot, liria ka triumfuar, demokracia është në marshim. Sot, në Azi si dhe në Evropë, popujt e liruar nga prangat po provojnë ëmbëlsinë e plotë të lirisë, të çliruar nga frika".

Më 2 shtator 1945, Lufta e Dytë Botërore kishte përfunduar më në fund me të vërtetë, dhe po fillonte një epokë e re.

XS
SM
MD
LG