Accessibility links

Breaking News

SHBA kërkon rivendosjen e sanksioneve të OKB-së ndaj Iranit


Komenti pasqyron pikëpamjet e qeverisë amerikane

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar rivendosjen e të gjitha sanksioneve të Kombeve të Bashkuara që ishin hequr më parë sipas Rezolutës 2231 të Këshillit të Sigurimit, kur marrëveshja bërthamore e Iranit, e njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët i Veprimit ose JCPOA, u finalizua në vitin 2015. E njëjta rezolutë e Këshillit të Sigurimit i jep secilit shtet pjesëmarrës të drejtën për të ekzekutuar pa kushte të ashtuquajturin "rikthim" të sanksioneve nëse Irani thyen angazhimet e tij sipas marrëveshjes JCPOA.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo informoi Këshillin e Sigurimit për vendimin e Shteteve të Bashkuara më 20 gusht. Sanksionet do të hyjnë në fuqi 30 ditë më vonë. Veprimi u ndërmor pasi Shtetet e Bashkuara provuan të gjitha mjetet diplomatike për të inkurajuar Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të rivendosur embargon e armëve ndaj Iranit që është planifikuar të skadojë në tetor.

Duke folur para gazetarëve në Kombet e Bashkuara, Sekretari Pompeo tha se mesazhi është i thjeshtë: "Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë kurrë që sponsori më i madh botëror i terrorizmit të blejë dhe shesë lirisht avionë, tanke, raketa dhe lloje të tjera të armëve konvencionale. Këto sanksione të OKB-së do të vazhdojnë embargon e armëve”.

Kthimi i sanksioneve do të ndalojë Iranin të testojë raketa balistike dhe të kryejë aktivitete të vazhdueshme bërthamore, të tilla si pasurimi i materialit bërthamor që mund të përdoret në një program të armëve bërthamore.

"Presidenti Trump dhe kjo administratë, kanë hedhur poshtë trillimin se regjimi thjesht kërkon një program paqësor bërthamor," tha Sekretari Pompeo. "Ne kurrë nuk do të lejojmë që Irani të ketë një armë bërthamore".

Sekretari Pompeo vuri në dukje se fqinjët e Iranit në Lindjen e Mesme, duke përfshirë vendet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, kanë paralajmëruar Këshillin e Sigurimit për rrezikun që vjen nga Irani dhe nevojën për të ripërtëritur embargon e armëve. Ai shprehu gjithashtu shqetësim se Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, ndërsa privatisht thanë se nuk duan heqjen e embargos së armëve, nuk po bëjnë asgjë për ta parandaluar atë të ndodhë:

"Amerika nuk do të jetë pjesë e këtij dështimi të udhëheqjes. Amerika nuk do ta pranojë. Amerika do të drejtojë … Veprimet e sotme i bëjnë presion shtesë Iranit që të sillet si një vend normal dhe të vijë në tryezën e negociatave”.

"Ne i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të bashkohet me ne në hartimin e një marrëveshjeje më të fortë që trajton gamën e plotë të sjelljes armiqësore të Iranit", tha sekretari Pompeo, "dhe mbron njerëzit e të gjitha kombeve që thjesht duan të jetojnë të lirë nga sjellja grabitqare iraniane."

XS
SM
MD
LG