Accessibility links

Breaking News

Helmimi i Navalnit duhet të hetohet


Komenti pasqyron pikëpamjet e qeverisë amerikane

Sekretarja e Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany e cilësoi helmimin e zotit Navalni si "plotësisht të dënueshëm".

Është një lajm i mirëpritur që udhëheqësi i opozitës ruse Aleksei Navalni është jashtë një gjendje kome të imponuar dhe po u përgjigjet stimujve verbalë, sipas mjekëve të tij në Berlin. Një deklaratë nga spitali Charite paralajmëroi, megjithatë, se "është shumë herët për të vlerësuar efektet e mundshme afatgjata të helmimit të tij të rëndë".

Zoti Navalni u dërgua nga Rusia në Berlin pasi u sëmur në një fluturim nga Siberia për në Moskë më 20 gusht dhe pasi mjekët rusë, me kërkesë të familjes së tij, lejuan që ai të transportohej në Gjermani. Në Berlin mjekët gjermanë arritën në përfundimin që zoti Navalni, i cili është një kritik i ashpër i Presidentit rus Vladimir Putin, ishte helmuar nga një agjent nervor i grupit Noviçok, një armë kimike e krijuar nga Rusia.

Pasi ekspertët mjekësorë gjermanë njoftuan konkluzionet e tyre, ambasadori amerikan në Rusi, John Sullivan bëri thirrje për "një hetim të menjëhershëm, gjithëpërfshirës dhe transparent nga autoritetet ruse që do të mbante përgjegjëse palët pas këtij akti".

Sekretarja e Shtypit të Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany e cilësoi helmimin e zotit Navalni si "plotësisht të dënueshëm".

“Rusia ka përdorur agjentë nervorë kimikë në të kaluarën dhe ne po punojmë me aleatët tanë dhe komunitetin ndërkombëtar për t’i mbajtur personat përgjegjës në Rusi e kudo që të çojnë provat dhe të kufizojmë fondet për aktivitetet e tyre armiqësore. Populli rus ka të drejtë të shprehë pikëpamjet e tij paqësisht, pa pasur frikë nga ndëshkimi i çfarëdo lloji, dhe sigurisht jo me agjentë kimikë".

Duke theksuar nevojën për një përgjigje kolektive, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se aleatët e NATO-s "janë të bashkuar në dënimin" e sulmit "të tmerrshëm" ndaj zotit Navalni dhe i kërkoi Rusisë të marrë pjesë në një hetim të paanshëm, ndërkombëtar për rrethanat e sulmit dhe të gjejnë përgjegjësit.

Ministrat e Jashtëm të G7-ës lëshuan një deklaratë me shkrim duke i bërë thirrje Rusisë "që urgjentisht dhe tërësisht të vendosë transparencën se kush është përgjegjës për këtë sulm të neveritshëm të helmimit duke mbajtur parasysh angazhimet e Rusisë sipas Konventës së Armëve Kimike, për të sjellë autorët e sulmit para drejtësisë.

"Ky sulm kundër udhëheqësit të opozitës, Navalni është një tjetër goditje e rëndë kundër demokracisë dhe pluralizmit politik në Rusi," thuhet në deklaratën e G7-ës. "Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër se si Rusia u përgjigjet thirrjeve ndërkombëtare për një shpjegim të helmimit të tmerrshëm të zotit Navalni".

Sekretari i Shtetit Michael Pompeo i bëri jehonë deklaratës së G7-ës duke thënë, "Ky sulm bie ndesh me normat ndërkombëtare që ndalojnë përdorimin e armëve të tilla".

XS
SM
MD
LG