Accessibility links

Breaking News

Shtetet e Bashkuara thellësisht të shqetësuara nga rrëmbimet, rrahjet dhe dëbimet në Bjellorusi 


Trazira politike në Bjellorusi që nga rizgjedhja e manipuluar e autoritarit Alexander Lukashenko më 9 gusht vazhdon. Anëtarët e opozitës politike në Bjellorusi krijuan Këshillin Koordinues Kombëtar (NCC) për të negociuar me autoritetet bjelloruse për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe një tranzicion të pushtetit. Në vend që të angazhohej në mirëbesim, regjimi i Lukashenkos ka nisur një hetim të motivuar politikisht kundër Këshillit Kombëtar të Koordinimit dhe ka arrestuar, i ka dëbuar në mërgim dhe ka rrëmbyer anëtarë të NCC.

Në të vërtetë, Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara nga rrëmbimi i 7 shtatorit i anëtares së Këshillit Kombëtar të Koordinimit Mariya Kalesnikava në Minsk, dhe dëbimet me forcë të zëdhënësit Anton Rodnenkou dhe Sekretarit Ekzekutiv Ivan Krautsou më 8 shtator. Maxim Znak, gjithashtu anëtar i Këshillit Kombëtar të Koordinimit, u ndalua të nesërmen.

Shtetet e Bashkuara vlerësojnë guximin e znj. Kalesnikava dhe të popullit bjellorus në afirmimin paqësor të së drejtës së tyre për të zgjedhur udhëheqësit e tyre në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Protestuesit janë përballur me dhunë të ashpër dhe shtypje nga autoritetet qeveritare, të cilat përfshinin rrahje brutale në mes të ditës dhe mijëra ndalime, si dhe raportime në rritje për rrëmbime.

Që nga 1 shtatori, studentët e universitetit kanë qenë viktima të goditjeve të dhunshme të drejtuara nga forcat e sigurisë të veshura me të zeza me fytyrat e tyre të mbuluara me maska skish. Disa u morën nga rruga dhe u hodhën në furgonë pa shenja dalluese.

Shtetet e Bashkuara, në koordinim me vendet partnere dhe aleatët, po konsiderojnë sanksione shtesë të synuara për të promovuar llogaridhënien për ata që përfshihen në abuzimet e të drejtave të njeriut dhe represionin në Bjellorusi. "Ne u kujtojmë autoriteteve bjelloruse përgjegjësinë e tyre për të garantuar sigurinë e znj. Kalesnikava dhe të gjithë atyre që janë ndaluar padrejtësisht", tha sekretari i shtetit Mike Pompeo në një deklaratë.

"Ne u bëjmë thirrje autoriteteve bjelloruse që t'i japin fund dhunës kundër njerëzve të tyre, të lirojnë të gjithë ata që janë ndaluar padrejtësisht, duke përfshirë shtetasin amerikan Vitali Shkliarov, dhe të angazhohen në një dialog domethënës me përfaqësues të mirëfilltë të shoqërisë bjelloruse".

XS
SM
MD
LG