Përkundër tensioneve historike, Serbia dhe Kosova kanë ndërmarrë hapa të guximshëm për të normalizuar marrëdhëniet ekonomike. Më 4 shtator, të dy vendet nënshkruan marrëveshje, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, duke finalizuar angazhimet për të bashkëpunuar në një gamë të gjerë çështjesh ekonomike.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Donald Trump tha se vendimi nga Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti për të punuar së bashku e ka bërë rajonin dhe botën më të sigurt.
"Pas një historie të dhunshme dhe tragjike, dhe vite negociatash të dështuara, administrata ime propozoi një mënyrë të re për të kapërcyer ndarjen. Duke u përqëndruar në krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike, të dy vendet ishin në gjendje të arrijnë një përparim të madh… Ne jemi shumë krenarë për këta dy udhëheqës të shkëlqyer dhe për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Dhe njerëzit e tyre janë shumë krenarë për ta, ndoshta më e rëndësishmja, ajo është historike”.
Pas shpërbërjes së Jugosllavisë në fillim të viteve 1990 dhe luftërave ballkanike pasuese, Kosova u shkëput nga Serbia dhe shpalli pavarësinë në vitin 2008, një status që Serbia nuk ka pranuar ta njohë. Gjatë 20 viteve të fundit, përpjekjet perëndimore për të ndërmjetësuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit politik midis dy vendeve mbetën të pa realizuara. I Dërguari i Presidentit Trump në Serbi dhe Kosovë Richard Grennell tha se Presidenti Trump ishte i vendosur për të thyer ngërçin:
"Ajo që bëri Presidenti Trump, qysh në fillim tha: Le t'u tregojmë si të zhvillohen [ekonomikisht], si të marrin industritë dhe t'i zhvillojnë ato. Le të ndryshojmë këndvështrimin. Ta fillojmë së pari me ekonominë. Dhe le të shohim nëse përqendrimi në ekonomi dhe krijimi i vendeve të punës mund ndryshojë gjërat politike. Kjo mbetet për t’u parë”.
Marrëveshja e normalizimit ekonomik e ndërmjetësuar nga SHBA midis Beogradit dhe Prishtinës kërkon të shtojë rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës dhe të demonstrojë përfitimet e prekshme të bashkëpunimit. Marrëveshja historike gjithashtu hap kalimet kufitare dhe inkurajon Serbinë dhe Kosovën të njohin diplomat dhe certifikatat profesionale të njëri-tjetrit.
Përveç kësaj, Serbia dhe Kosova po marrin pjesë në lëvizjen në rritje drejt paqes në Lindjen e Mesme. Kosova dhe Izraeli kanë rënë dakord të normalizojnë lidhjet dhe të vendosin marrëdhënie diplomatike; Serbia është zotuar të zhvendosë ambasadën e saj në Jeruzalem – hapa të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve midis vendeve evropiane dhe të Lindjes së Mesme.
Në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump pranoi ekzistencën e ndjenjave "të vjetra" të Serbisë dhe Kosovës nga e kaluara, por ai parashikoi një të ardhme më të ndritur: "Unë mendoj se ata do të kenë një marrëdhënie të jashtëzakonshme. Dhe ekonomia do t'i bashkojë ata", tha ai.