Accessibility links

Breaking News

Bahreini dhe Izraeli normalizojnë marrëdhëniet


Komenti pasqyron pikëpamjet e qeverisë amerikane

Në më pak se një muaj, Shtetet e Bashkuara kanë ndërmjetësuar dy marrëveshje historike të paqes në Lindjen e Mesme, atë më të fundit midis Izraelit dhe Bahreinit. E para ishte midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Në frymën e paqes dhe bashkëpunimit, Bahreini ka rënë dakord të normalizojë marrëdhëniet e tij diplomatike me Izraelin. Ata do të shkëmbejnë ambasada dhe ambasadorë, do të fillojnë fluturime të drejtpërdrejta midis vendeve të tyre dhe do të fillojnë iniciativa bashkëpunimi në një gamë të gjerë sektorësh, duke përfshirë shëndetësinë, biznesin, teknologjinë, arsimin, sigurinë dhe bujqësinë.

Ka pasur vetëm dy marrëveshje të tjera paqeje me Izraelin në 72 vitet e fundit, tha Presidenti Trump, "dhe unë kam shumë shpresë se do të ketë edhe më shumë që do të pasojnë". Në të vërtetë, marrëveshjet me Bahreinin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ndihmojnë gjithashtu për të avancuar perspektivën për gjetjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme midis Izraelit dhe palestinezëve.

Pas dekadash paqëndrueshmërie dhe krize, kushtet në Lindjen e Mesme janë përmirësuar ndjeshëm gjatë tre viteve të fundit, tha Presidenti Trump:

"Unë kam rikthyer besimin me partnerët tanë rajonalë, dhe së bashku ne kemi eliminuar100 përqind kalifatin e ISIS-it; kemi izoluar radikalët që shtrembërojnë islamin dhe mbjellin paqëndrueshmëri. Sot, kombet në të gjithë rajonin dhe në të gjithë botën po mblidhen, të bashkuar në vendosmërinë e tyre për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, të lirë nga të këqijat që nxisin terrorin".

Presidenti Trump falënderoi udhëheqësit e Izraelit dhe Bahreinit për guximin e tyre për të arritur këtë marrëveshje historike:

“Udhëheqja e tyre po dëshmon se e ardhmja mund të mbushet me shpresë dhe se nuk ka nevojë të paracaktohet nga konfliktet e së kaluarës. . . Ndërsa më shumë vende normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin - e cila ne besojmë se do të ndodhë shumë shpejt - rajoni do të bëhet gjithnjë e më i qëndrueshëm, i sigurt dhe i begatë".

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë me popujt e Lindjes së Mesme ndërsa ata punojnë për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur, më shpresëdhënëse.

XS
SM
MD
LG