Accessibility links

Breaking News

Shtetet e Bashkuara të shqetësuara për ndërprerjet e internetit në Bjellorusi


Belarus Protests
Belarus Protests

Komenti pasqyron pikëpamjet e qeverisë amerikane

Autoritetet bjelloruse vazhdojnë të krijojnë çrregullime në qasjen në internet dhe të kufizojnë përmbajtjen on-line si përgjigje ndaj protestave mbarëkombëtare për zgjedhjet e manipuluara presidenciale të mbajtura më 9 gusht. Si rrjedhojë, Shtetet e Bashkuara së bashku me 35 vende të tjera lëshuan një deklaratë, duke dënuar mbylljet e pjesshme dhe të plota të Internetit nga regjimi i Aleksandër Lukashenkos.

Mbylljet dhe bllokimi ose filtrimi i shërbimeve online kufizojnë në mënyrë të pajustifikueshme të drejtat e tubimit paqësor dhe liritë e asociimit dhe shprehjes, vinte në dukje deklarata. Të lidhura me masat kufizuese dhe kërcënimet e përdorura kundër kandidatëve të opozitës apo me arrestimet dhe ndalimet masive të qytetarëve paqësorë dhe gazetarëve bjellorusë, veprimet për të kufizuar qasjen në internet, përfshirë mediat sociale dhe platformat e tjera të komunikimit dixhital, gërryejnë më tej hapësirën qytetare.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre do të vazhdojnë të qëndrojnë në krah të popullit të guximshëm të Bjellorusisë, i cili po e bën zërin e tij të dëgjohet, megjithë këto masa shtypëse. Vlen të përmendet se gratë po luajnë një rol qendror në thirrjen për drejtësi dhe përgjegjësi. Në të vërtetë, çdo të shtunë që nga zgjedhjet e manipuluara, ka pasur një protestë paqësore të grave, me pjesëmarrjen e mijëra grave, të cilat dënojnë dhunën dhe bëjnë thirrje për largimin e Lukashenkos.

Hapësira civile në internet është pjesë përbërëse e një hapësire të gjallë qytetare jashtë tij. Qeveritë nuk duhet të bllokojnë ose të pengojnë lidhjen me Internet, pasi mbylljet shpesh minojnë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, duke përfshirë të drejtat e tubimit paqësor si dhe liritë e asociimit dhe shprehjes, që formojnë bazën e një shoqërie demokratike.

Mbylljet e internetit ndikojnë tek të gjithë përdoruesit, veçanërisht te grupet e margjinalizuara dhe ato të ekspozuara. Mbylljet kufizojnë lirinë e medias dhe aftësinë e gazetarëve dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut për të raportuar mbi shkeljet ose abuzimet e të drejtave të njeriut dhe për t'i mbajtur qeveritë përgjegjëse. Mbylljet dhe kufizimet gjithashtu kufizojnë shpërndarjen dhe rrjedhjen e lirë të informacionit, dëmtojnë aktivitetin ekonomik, kontribuojnë në çrregullime shoqërore dhe politike dhe ndikojnë negativisht në sigurinë publike.

Të drejtat e njeriut duhet të mbrohen në internet ashtu siç mbrohen jashtë tij. SHBA dhe vendet e tjera nënshkruese u bëjnë thirrje autoriteteve bjelloruse të heqin dorë nga mbyllja e Internetit dhe bllokimi ose filtrimi i shërbimeve online dhe të respektojnë detyrimet ndërkombëtare të Bjellorusisë për të drejtat e njeriut. Është detyrë e qeverisë së Bjellorusisë të respektojë hapësirën qytetare, duke përfshirë respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut në lidhje me zgjedhjet bjelloruse duhet të hetohen në mënyrë të pavarur dhe autorët e krimit të sillen para drejtësisë.

XS
SM
MD
LG